Pak para, gjëra të mëdha
Gjeneratat e reja të shqiptarëve të Kosovës nuk e flasin serbishten, e cila është shumë e ngjashme me gjuhën time amtare, gjuhën malazeze. Kështu që po flas me Rron Ismajlin në anglisht, duke pirë makiato në një bar të qetë, Living Room. Monumenti i NEWBORN, simboli i Kosovës së pavarur, është afër. Biseda jonë është larg nga turmat e rrugëve që e festojnë ditëlindjen e tretë të shtetit më të ri ballkanik.
Mania kosovare e festivaleve të filmit
21 vjeçari është student i shkollës së filmit Marubi në Tiranë; MFMS është akademia e parë private e filmit dhe televizionit në Shqipëri, e themeluar në vitin 1999. Rron, i cili është duke e shkruar një skenar për një dokumentar të ri të shkurtër që ka të bëjë me prodhimin e librave, është i kënaqur me mbështetjen që artistët e rinj kosovarë e marrin nga organizatat e ndryshme.
“Njerëzit janë të interesuar të ndihmojnë dhe të investojnë në talentet e rinj”, shpjegon ai. Ai e financon veten duke punuar si drejtor i pavarur i fotografisë për reklama dhe video muzikore. “Mund ta gjesh një punë nëse do”, insiston ai. Me kolegët e tij nga Shqipëria, Rroni planifikon të marrë pjesë në edicionin e nëntë të DokuFest-it, i cili do të mbahet ndërmjet 23 dhe 31 korrikut në Prizren, në jug të Kosovës. “E vetmja mënyrë për ta bërë këtë punë është të takohesh me njerëz nëpërmjet festivaleve dhe universiteteve. Është një prej top festivaleve europiane”, shpjegon ai.
Bashkë-organizatori Veton Nurkollari pajtohet me këtë. “DokuFest është shumë i rëndësishëm në rritjen e kujdesit ndaj filmit dokumentar por gjithashtu edhe në sjelljen në vëmendje të gjithfarë çështjeve të rëndësishme që zakonisht janë të ndërlidhura me dokumentarë, siç janë të drejtat e njeriut dhe çështjet e mjedisit”. Ndryshimi shoqëror nëpërmjet artit, jo politikës, është i rëndësishëm për këta kosovarë.
“Artistët nuk dëshirojnë të jenë politikë”, shpjegon Charlotte Bohl, koordinatorja franceze 26 vjeçare e një festivali më të ri të quajtur Rolling Film, i cili është në edicionin e tij të dytë. “Këtu politika shihet si diçka e keqe, konflikt, luftë. Nuk shihet si mjet për t’i ndryshuar gjërat”.
Në zyrën e tyre në qendër të Prishtinës, ekipi po i shikon videot promovuese të festivalit. Ndërmjet 2 dhe 5 marsit, Rolling Film Festival ka shfaqur më shumë se tridhjetë filma të bërë nga romët dhe rreth romëve nga e gjithë bota. Katër ditë të shfaqjeve të filmave në Prishtinë janë vazhduar me një udhëtim tetë ditësh nëpër Kosovë ndërmjet 21 dhe 30 marsit, duke vizituar shkolla, duke shfaqur filma dhe duke mbajtur debate me studentë.
“Festivali kushton rreth 28 mijë euro. Nuk është aq i shtrenjtë, siç do të ishte në Francë apo Spanjë, për shkak të rrogave të ulëta këtu. Atje do të kushtonte së paku pesë apo gjashtë herë më shtrenjtë”, shpjegon ekipi, me fondet që vijnë, midis tjerash, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, ambasadat zvicerane dhe franceze.
Nga romët në fshatrat serbë te emrat e rrugëve të kryeqytetit
“Ka filluar kur e kam kuptuar se nuk mund të bëja mjaft filma për të përfaqësuar kulturën rome dhe mënyrën e jetesës”, thotë drejtori artistik Sami Mustafa, një filmbërës i pavarur dhe vet kosovar rom. Bashkë me dy nga ekipi i tij prej pesë vetave, ne udhëtojmë deri te fshati i vogël serb i Lepinës për ta takuar Farija Mehmetin, një piktor rom. Pikturat në muret e shtëpisë së varfër, përfshirë portrete të grave të moshave të ndryshme, tregojnë talentin e mrekullueshëm të kësaj vajze dhe vëllait të saj Bajramit, të cilët janë të frymëzuar nga jeta e përditshme në fshat. Ekspozita e fundit me rreth tridhjetë vepra është mbajtur në vitin 2004. Ngjarjet e shkollës janë pjesë e organizatës Balkan sunflower, një OJQ e themeluar në vitin 1999 për të ndihmuar refugjatët kosovarë. Gjatë fundjavës këta fëmijë serbë dhe romë luajnë së bashku derisa përgatitet për performansën e tyre, të cilën do ta shfaqin pas tri javësh.
Pasi u ktheva në Prishtinë u shoqërova me artistin vizual me ndikim të madh Alban Muja për një shëtitje. Vepra e tij e fundit ka qenë një dokumentar i quajtur “Blue wall, red doors” (Muri i kaltër, dyert e kuqe) në vitin 2009, që ka të bëjë me një konfuzion gjeografik në rrugët e kryeqytetit. Shumë qytetarë, përfshirë edhe taksistët dhe postierët, nuk i dinë këtu adresat e sakta.
“Ka shumë ndërtesa të reja dhe njerëzit e kanë humbur orientimin për emrat e rrugëve. Që nga vitit 1989 ka pasur ndryshim të emrave gjatë gjithë kohës, prej Jugosllavisë deri te koha e Millosheviqit, pastaj gjatë luftës dhe gjatë udhëheqjes së përkohshme të Kombeve të Bashkuara deri më tani, në Kosovën e pavarur”. Njëzet vjet të historisë së kësaj pjese të Ballkanit tregon ndryshimet e saj, konfuzionin dhe mungesën e tolerancës.
I diplomuari në Akademinë e Arteve ka qenë piktor, fotograf dhe autor i filmave dokumentarë. Ai e sheh mediumin si mjet për t’i shprehur opinionet dhe idetë. “Nëse do të mund të hapja ndonjëherë një shkollë të artit, do t’i mësoja studentët rreth arteve të ndryshme dhe t’u jepja një shans të shohin ku e ndiejnë vetën më mirë për të eksploruar”.
Pavarësisht natyrës ndryshuese të veprës së tij, Albani ka mbetur i qëndrueshëm në eksplorimin e panoramave, emrave dhe mendimit global. “Nëse punon me koncepte lokale, ndoshta vetëm njerëzit që jetojnë aty do të kuptojnë. Një artist që krijon diçka ekskluzivisht në nivel lokal është i paracaktuar të dështojë”.
Albani sapo është kthyer nga New York dhe po bëhet gati të shkojë në Berlin për festivalin e filmit, ku ka punuar me një artiste suedeze për të inkurajuar mendimin e freskët. Sikurse Rronin, njerëzit në DokuFest apo themeluesit romë në Rolling Film, kultura po sheh ide të reja që mbijnë nga përvojat e vjetra në Kosovë. Kjo është fotografia e këtij vendi: shumë gjëra kanë nevojë të ndryshohen, por akoma më shumë njerëz kanë vullnet ta bëjnë këtë ndryshim, pa marrë parasysh çfarë gjuhe flasin çfarë fushe kanë.
Ky artikull është pjesë e cafebabel.com, numri 2010-2011 që në fokus ka Ballkanin