E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak spektakël edhe në Ditën e Monumenteve

Prej vitit 1983 UNESCO e ka shpallur 18 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve. Prej disa vitesh, kjo ditë kujtohet edhe në Shqipëri. Do të kujtohet edhe këtë vit. Nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve njoftohemi se Edhe në Shqipëri në këtë kuadër organizohet hyrja falas në monumente dhe zhvillohen aktivitete të ndryshme lidhur me vlerat, rëndësinë, si edhe rreziqet që u kanosen monumenteve të kulturës, më së shumti me nxënësit dhe të rinjtë, të cilët jo vetëm do ti trashëgojnë këto vlera të trashëgimisë kulturore, por duhet edhe ti mbrojnë dhe çojnë më përpara elementet e saj. Një tjetër njoftim më i detajuar vjen nga Drejtoria e Aktiviteteve dhe Marrëdhënieve me Komunitetin pranë Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes. Në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë, Galerisë së Arteve dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, kanë përgatitur një kalendar aktivitetesh, i cili parashikon një takim, ku gjimnazistë e fëmijë të efektivave të Forcave të Armatosura do të lexojnë ese e do të këndojnë këngë. Në mbyllje parashikohet një vizitë në ekspozitën e piktorit Ibrahim Kodra Shqipëria fantastike, hapur ditën e premte në Galerinë Kombëtare të Arteve. Si një ditë monumentesh, ndoshta do kishte qenë më e udhës një vizitë në ndonjë monument kulture apo sit arkeologjik, megjithatë nëse nga Qendra Kulturore e Mbrojtjes është menduar një lloj kalendari, MTKRS nuk jep asnjë detaj, veç vizitave falas nëpër monumente. Në këtë ditë kushtuar monumenteve, MTKRS të paktën do të duhej të zbardhte se çpo ndodh me projektin e bujshëm të rijetësimit të monumenteve, apo siç njihet më së shumti dhënien me qira të monumenteve të kulturës. Ka kaluar kohë qëkurse grupet e interesit zhvilluan një dëgjesë në Komisionin e Medias dhe të Informacionit, ku u shprehën tërësisht kundër këtij projekti, i cili, nisur nga eksperiencat e mëparshme, i rrezikon seriozisht monumentet. Asokohe u premtua që Komisioni do të thërriste në një dëgjesë edhe ministrin e MTKRS-së, Aldo Bumçi, çka nuk ka ndodhur ende. Në të vërtetë ky takim ishte parashikuar të ndodhte disa ditë më parë, por për shkak se prania e mediave nuk ishte ajo e pritshmja, takimi nuk u zhvillua fare. Por bëhej fjalë për monumentet e kulturës dhe jo për ndonjë spektakël, që kërkonte audiencë e blice. Komisioni duhej të informohej gjithsesi mbi këtë çështje…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›