E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi i regjisores kosovare merr pesë çmime në Nju Jork

“Çmimi për mjeshtri” i ka takuar pikërisht filmit të regjisores nga Kosova, Blerta Basholli, ndërkohë që për lojën në film janë shpërblyer edhe aktorët Yllka Gashi, Shpend Xani dhe Shqipe Biba. Filmi ka marrë edhe çmimin për kamerën më të mirë, që në këtë rast i takon Michael Rossettit.

Për regjisoren Basholli, çdo pjesëmarrje në festivale është e rëndësishme, ndërkohë që marrja e çmimeve është një emocion i veçantë.  

“Filmi do të vazhdojë të udhëtojë në festivale dhe shpresojmë të pranohet dhe të marrë edhe çmime të tjera”, ka thënë Basholli, e cila aktualisht po jeton në Nju Jork, ku po bën edhe masterin për regji të filmit.  

“Filmi tani veç sa është përfunduar dhe ‘First Run Film Festival’ është festivali i parë ku ka marrë pjesë”, ka thënë Basholli për gazetën “Koha Ditore”.
 
Xhirimet e filmit “Lena and Me” janë bërë në Nju Jork, në dhjetor të vitit 2009.

“Lena dhe Ardi duhet të martohen. Si emigrantë shqiptarë në Amerikë, ata pranojnë martesë të aranzhuar nga prindërit e tyre. Momentet ironike dhe komike fillojnë kur ata duhet të bëjnë edhe një aranzhim tjetër, të jetojnë edhe për veten e tyre, deri sa të zgjasë”, ka treguar Basholli. /Start/

                                                                                             2011-04-08 17:37
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›