E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakdil: Në Turqi, të gjithë janë me Kosovën

Prishtinë - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion nga Republika e Turqisë, i kryesuar nga Nevzat Pakdil, deputet dhe zëvendëskryetar i Parlamentit të Turqisë. Në takimin përmbajtjesor, Presidenti Sejdiu ka falënderuar për përkrahjen që Turqia i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Mbështetja e Turqisë është në shumë dimensione, në shumë fusha, duke filluar nga proceset e hershme, me prezencën e KFOR-it, me investime në fushën e biznesit, në arsim, në shëndetësi e të tjera”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai ka çmuar faktin se edhe pozita edhe opozita në Parlamentin e Turqisë, kur është në pyetje çështja e Kosovës, të gjithë kanë qëndrim të njëjtë.

Presidenti Sejdiu ka çmuar si vlerë të përbashkët rolin që ka komuniteti turk në Kosovë dhe rolin që kanë qytetarëve me prejardhje nga Kosova në Turqi.

“Me vizita dhe kontakte, me këmbim përvojash, vetëm sa shtohet edhe më tepër mundësia e bashkëpunimeve të ndërsjella edhe në fusha të tjera”, tha ai. Ndërsa Nevzat Pakdil, deputet dhe zëvendëskryetar i Parlamentit të Turqisë, pasi ka falënderuar për ftesën për vizitë dhe për pjesëmarrje në festën e popullit turk të Kosovës, theksoi qëndrimin e vazhdueshëm të Turqisë për të përkrahur Kosovën.

”Qoftë para pavarësisë, qoftë pas pavarësisë, partitë në pozitë dhe ato në pozitë, i gjithë popullit turk, kemi qenë pranë kosovarëve dhe do të vazhdojmë të jemi pranë tyre”, tha Pakdil, duke premtuar vazhdimin e ndihmës së Turqisë në fushë fusha.

“Një Kosovë e lirë dhe e pavarur në qendër të Evropës është një garanci për paqe në Evropë dhe më gjerë”, theksoi Pakdil. “Besojmë se një Kosovë e pavarur dhe me tolerancë është shembull edhe për vendet tjera të bashkësisë evropiane”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›