E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakënaqësi në AKR

Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 14:58

Dorëheqja e Behgjet Pacollit nga kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR) me t’u bërë president i vendit dhe mandej angazhimi i tij në Qeveri si zëvendëskryeministër, e ka lënë këtë parti pa drejtues tash e disa muaj.

Zhvillimet nga ajo kohë kanë sjell pakënaqësi në strukturat e këtij subjekti politik. Dega e II-të e AKR-së, që përfaqësohet nga Gëzim Mehmeti, i cili mban edhe pozitën e sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë në AKR, ka shfaqur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit në parti.

Përmes një shkrese drejtuar Kryesisë dhe organeve tjera drejtuese të AKR-së, Gëzim Mehmeti ka bërë thirrje që të ndërpritet sa më parë mosrespektimi dhe mosfunksionimi i organeve të partisë.

“Vendimet e rëndësishme, politike dhe sistemimi të merren nga organet partiake të bazuar në status e jo nga disa individë dhe në mënyrë jo transparente siç po ndodh”, ka thënë ai.

Madje, sipas Mehmetit duhet që të ndërpritet mosrespektimi i vlerave demokratike-evropiane, për të cilat anëtarësia e gjerë dhe konkretisht Kryesia e Degës së II të AKR-së angazhohet me përkushtim për t’i mbrojtur.

Ai theksoi se duhet të mblidhen sa më shpejtë organet partiake, si Kryesia dhe Këshilli Drejtues, pasi që gjashtë muaj nuk ka pasur asnjë mbledhje të organeve të lartshënuara.

“Bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues dhe Statusit të partisë të mbahet sa më shpejtë Kuvendi i AKR-së për zgjedhjen e presidentit-tes”, thuhet në shkresën e Degës II të AKR-së, të nënshkruar nga kryetari i saj, Gëzim Mehmeti.

Deri më tani lidhur me këto pakënaqësi nuk ka pasur asnjë deklarim nga Kryesia qendrore e AKR-së. Dihet se nga hyrja në koalicionin qeverisës shumica e drejtuesve të AKR-së kanë dhënë dorëheqje nga strukturat e partisë për t’u lënë vend personave të rinj. Mirëpo që nga atëherë ky subjekt politik nuk ka zgjedhur kryetarin dhe në një formë udhëhiqet nga vëllai i Behgjet Pacollit, Rrahim Pacolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›