Sekuestrohen 676 kg Cannabis gati për të kaluar në Greqi, arrestohet poseduesi
SARANDË – Bllokohen 676 kilogramë Cannabis, gati për t’u trafikuar në Greqi, arrestohet njëri prej poseduesve të saj. Policia njofton se ka vënë në pranga 31-vjeçarin Kledian Koka, i cili drejtonte automjetin në të cilin u gjend sasia e drogës. Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri publik finalizimin e aksionit, duke nxjerrë në pah punën e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, e cila dha dhe sinjalin e parë për zbulimin e kësaj sasie droge.
Operacioni
Në orët e vona të datës 12.03.2010, nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës u bë i mundur identifikimi i një mjeti lundrues, skaf, i cili po tentonte të vinte nga ishujt në veri të Korfuzit në drejtim të brigjeve shqiptare.
Menjëherë nga kjo qendër, pjesë e së cilës janë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, janë informuar shërbimet policore të zonës përreth, me qëllim marrjen e masave si nga toka, ashtu dhe nga deti për kontrollin e territorit. Në vijim të këtij operacioni nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, rreth orës 22:15, në vendin e quajtur plazhi i Bunecit, Sarandë, u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth prej 676.25 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Kjo sasi lënde narkotike është gjetur e sistemuar në 18 çanta sportive në një automjet tip “Benz” furgon. Nga verifikimet e kryera nga strukturat e Policisë rezultoi se ky automjet drejtohej nga shtetasi Kledian Shefik Koka, 31 vjeç, lindur në Progonat, Tepelenë e banues në Sarandë, i dënuar më parë në shtetin grek me 4.5 vjet burg për “trafik të narkotikeve”. Nga informacionet e grumbulluara nga policia rezulton se kjo sasi droge do të trafikohej për në Greqi, por ende nuk ka asnjë të dhënë lidhur me drejtuesin e mjetit lundrues, i cili u shfaq në radarët e Qendrës Operacionale Detare në Durrës.
Arrestimi
Menjëherë pas publikimit të identitetit të transportuesit dhe të sasisë prej 676 kilogramësh drogë, Policia e Sarandës është vënë menjëherë në ndjekje të tij. Pas një pune intensive, uniformat blu të qytetit jugor njoftojnë se kanë mundur të arrestojnë personin e shpallur në kërkim. Sipas tyre, autori i trafikut të drogës është kapur në Piqeras të Sarandës. Mësohet se ai është Kledian Koka, 31 vjeç, lindur në Progonat të Tepelenës dhe banues në Sarandë. Mbi të rëndon akuza për trafik lënde narkotike.
Gjatë deklaratës për shtyp, vetë Burgaj përgëzoi punën e strukturës më të re të Policisë së Shtetit, duke theksuar që tashmë asnjë rast trafikimi nuk do të mund të kalojë pa u vënë re nga ana e policisë. ”Theksojmë se me inaugurimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare nuk do të ketë asnjë rast të trafikimit që do të kalojë pa u konstatuar e pa u kapur nga strukturat e Policisë së Shtetit shqiptar apo shteteve fqinje. Bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit në vendet fqinje do të jetë shumë i shpejtë, duke bërë të mundur ndërhyrjen në kohë dhe bllokimin e çdo tentative për trafiqe të paligjshme”, – mbylli deklaratën e tij drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj.
Moratoriumi antiskaf
Në fillimet e tij u mendua se do të ishte zgjidhja përfundimtare e problemeve të Shqipërisë me trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore, por nuk rezultoi e tillë. Raste të shumta të trafikut të drogës nëpërmjet detit janë regjistruar gjatë viteve të jetës së të ashtuquajturit “moratoriumi antiskaf”.
Edhe pse tashmë në numër më të vogël dhe në rrugë të reja, sërish trafiku i drogës “lulëzon” në detet e Shqipërisë.
Vetëm pak kohë më parë, një superaksion i zhvilluar në katër shtete u finalizua me arrestimin e 51 personave, ku midis tyre numri më i madh ishte shqiptar. Ky grup trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, madje dhe në kohën kur mbizotëronte moratoriumi. Nëpërmjet mjeteve lundruese ata kalonin kanalin e Otrantos dhe zbarkonin në Itali sasinë e drogës, e cila llogaritet të ketë qenë më shumë se 1.5 tonë.
Lufta kundër drogës
Një ndër prioritetet kryesore të Policisë shqiptare është lufta kundër trafikut të drogës. Kjo për faktin se ky fenomen është kritikuar vazhdimisht edhe nga ndërkombëtarët, të cilët e etiketojnë Shqipërinë si vendin tranzit të kalimit të drogës nga Lindja në drejtim të Perëndimit.
Vetëm dy ditë më parë, në kryeqytet u bllokua një sasi e madhe heroine dhe u vunë në pranga tre poseduesit e saj.
2.8 kilogramë heroinë, e cila kishte mbërritur nga Maqedoina, ishte gati për t’u dërguar drejt shteteve fqinje (Greqi, Itali) dhe më pas të shpërndahej në Europë.
Aksione të shumta janë regjistruar dhe në qytete të ndryshme të vendit, ku janë goditur grupe të vogla trafikantësh dhe shitësish të lëndëve narkotike. Por, një problem kryesor për Policinë është kthyer shitja e drogës pranë shkollave. Lidhur me këtë gjë janë regjistruar 2 raste vetëm javën e kaluar, ku në Tiranë u arrestuan një 19-vjeçar me 7.3 gramë heroinë, i cili shiste drogë pranë shkollës “Lidhja e Prizrenit” dhe vetëm dy ditë më pas, tre persona ranë në prangat e policisë, pasi iu sekuestrua një sasi prej 1 kg Cannabis sativa, të cilën e shisnin kryesisht pranë gjimnazeve të Përrenjasit dhe Librazhdit.
15 Mars 2010