E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa ligjore, PS: Qeveria po ndërhyn tek Prokuroria

Dade thekson se, nesër, mazhoranca socialiste, do të zbatojë reformën në drejtësi, bazuar në kontributet e të gjithë aktorëve

TIRANË - Partia Socialiste është në një zë me ndërkombëtarët sa i përket paketës ligjore për drejtësinë, e përgatitur së fundmi nga Ministria e Drejtësisë. Pas kritikave të Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, Sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje se, filozofia e mazhorancës për reformën në drejtësi, është diametralisht e kundërt me vizionin e Partisë Socialiste. Për pasojë, në rast fitoreje të së majtës zgjedhjet e ardhshme, Dade, ka theksuar se mazhoranca socialiste, do ta zbatojë këtë reformë duke u bazuar në kontributet e të gjithë aktorëve, specialistëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të këtij sistemi, si edhe ndihmesën e partnerëve euroatlantikë. Në konferencën e djeshme për shtyp, sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, i është referuar pikërisht tryezës së dy ditëve më parë, të organizuar nga TIA, për drejtësinë, ku merrnin pjesë edhe grupet e interesuara dhe shoqëria civile. “Takimi i djeshëm i të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e drejtësisë, përfaqësuesit e nderuar dhe të respektuar të shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin e PSSH-së se, kjo mazhorancë, ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e institucioneve, të njohura nga kushtetuta si të pavarura.Ky cenim, është shprehur dukshëm përmes akteve ligjore dhe nënligjore që kjo mazhorancë ka kaluar, si dhe përmes ndërhyrjes direkte të ekzekutivit në punën e prokurorisë, duke thelluar konfliktualitetin mes institucioneve në vend, gjë e cila përbën përkeqësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar”, - tha Dade. Prania, në tryezën e dy ditëve më parë, edhe e përfaqësuesve të EURALIUS, si kontribut i Komisionit Europian, sipas Dades, është tregues i shqetësimit edhe i BE-së. “PSSH-ja, gjithashtu, është e shqetësuar që, pakti për drejtësinë, i propozuar prej saj ku qartazi merr udhë filozofia jonë për reformën në drejtësi, nuk gjeti mbështetje nga mazhoranca dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, për sa kohë që filozofia e mazhorancës për këtë reformë, është diametralisht e kundërt me vizionin tonë. Filozofia e mazhorancës bazohet në arnime të pjesshme, emërime partizane dhe shkarkime të atyre që dalin jashtë kontrollit të politikës së saj”, - tha Dade. Po dje, sekretarja e marrëdhënieve me jashtë në PS, përshëndeti nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti i Amerikës Xhorxh W. Bush, duke kujtuar në të njëjtën kohë edhe qëndrimin e mbajtur nga vetë ai se, Shqipëria, duhet të përmbushë reforma madhore, një prej së cilave është edhe ajo në sistemin e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›