E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli thyen rekordin e Çelsit

"Të kuqtë" fitojnë në "Stemford Bridxh", si askush në 86 ndeshjet e fundit dhe marrin kreun e Premier Ligës

Liverpuli shfaqi edhe një herë qartë synimet e veta për titull këtë vit duke i dhënë fund rekordit të Çelsit prej 86 ndeshjesh pa humbje në fushën e vet në Premier Ligën angleze. "Të kuqtë" e Benitezit thyen Çelsin në "Stemford Bridxh" dhe morën kryesimin në kampionatin anglez. Goli i minutës së nëntë i shënuar nga Ksabi Alonso i dha Liverpulit fitoren, kurse Çelsit shijen e humbjes së parë që prej shkurtit të vitit 2004. Ky ishte një triumf i merituar për djemtë e Benitezit, me gjithë mungesën e Fernando Torresit, kurse për Luiz Felipe Skolarin kjo ishte humbja e parë që kur ka marrë drejtimin e Çelsit. Vendësit ishin ata që e zotëruan më shumë topin, por Liverpuli nuk u zmbraps për asnjë moment në lojë dhe mund të kishte dyfishuar rezultatin, nëse goditja e dënimit e ekzekutuar nga Alonso në pjesën e dytë të mos kishte goditur shtyllën pingule. Eshli Kol humbi mundësinë më të mirë për të barazuar për skuadrën vendëse në fillimin e pjesës së dytë, duke bërë kështu që Liverpuli të dilte i pathyer nga "Stemford Bridxh" dhe të shënonte një fitore shumë të rëndësishme për sa i përket moralit dhe vetëbesimit të lojtarëve miq. Nëse kjo ndeshje do të mund të konsiderohet si një masë e aftësisë së Liverpulit për të paraqitur një sfidë serioze në luftën për titull, atëherë sigurisht që skuadra e Benitezit e dëshmoi se është e aftë të sfidojë Çelsin dhe Mançester Junajtdin edhe në fushën e tyre. Londinezëve u mungoi fantazia dhe idetë për të depërtuar në murin mbrojtës të Liverpulit, mbrojtësit e të cilit, të drejtuar nga një Xhemi Karrager i mrekullueshëm, ishin të padepërtueshëm. Skuadra e drejtuar nga Skolari e nisi ndeshjen me vrull dhe vetëbesim, por pësoi një "knock out" kur Alonso i dha Liveprulit kryesimin pas vetëm nëntë minutash lojë. Minutat në vijim e panë Çelsin të dominonte në përqindjen e qarkullimit të topit, por Liverpuli ishte shumë i organizuar dhe gjithnjë i rrezikshëm për të shënuar golin e dytë. Stiven Xherrard madje iu afrua golit në minutën e 23 të pas një gjuajtjeje të fortë nga 20 metra, e cila kërkoi impenjimin e portierit vendës, Petër Çek, për ta devijuar në goditje këndi. Havier Maskerano në mbrojtje ishte një siguri më shumë për miqtë nga Liverpuli, duke shkaktuar acarimin dhe tensionin e sulmuesve vendës. Çelsi pati superioritet territorial në pjesën e parë, por elasticiteti i treguar nga Liverpuli gjatë gjithë pjesës së parë bëri që portieri Pepe Reina të kishte shumë pak punë. Pati një moment ankthi për portierin e miqve, kur Reina rrëzoi Florent Maludanë, por anësori kishte lajmëruar më parë për një pozicion jashtë loje. Liverpuli zhvilloi një lojë të zgjuar, duke ushtruar presion ndaj Çelsit në të gjithë fushën dhe me kalimin e minutave, edhe rekordit të pathyeshmërisë së Çelsit në fushën e vet po i vinte fundi. Ky rekord mund të ishte i pathyer edhe sot, nëse në minutën e 72 të, Kol do të kishte futur në rrjetë krosin e Lampardit të devijuar nga Di Santo. Edhe Karrager bëri minuta më vonë një mbrojtje të shkëlqyer duke bllokuar Dekon, ndërkohë që Liverpuli u përgjigj me gjuajtjen e rrezikshme të Babelit. Presingu i Çelsit ishte i madh në minutat e fundit, por jo aq sa të rrezikonte fitoren e Liverpulit, që dëshmoi edhe një herë objektivin e vet këtë sezon.

Premier Ligë, java e nëntë

Dje

Çelsi - Liverpul 0-1

Man.Siti - Stoke 3-0

Totenhem - Bolton 2-0

Uigan - Aston Vila 0-4

Uest Hem - Arsenal 0-2

Portsmuth - Fulhem 1-1

Të shtunën

Everton - Mançester U1-1

Sandërlend - Njukasëll 2-1

Uest Bromuiç - Hull 0-3

Blekbërn - Midëllsbrou 1-1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›