Vizita, Fratini sot në Tiranë
TIRANË - Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, pritet të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, e dyta brenda këtij viti. Ministri i Jashtëm i Italisë, do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të homologut të tij shqiptar, Lulzim Basha. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, ai do të pritet në takime nga personalitetet më të larta të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Ai pritet të përshëndesë edhe punimet e Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, që do të nisë sot në Tiranë. Më 7 Mars të vitit2008, Fratini vizitoi Shqipërinë, si zëvendëspresident i Komisionit Evropian, me misionin ehapjes së dialogut zyrtar për regjimin e udhëtimit pa viza. Gjatë kësaj vizite, zyrtari i lartë i KE-së, përcolli mesazhin se, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së, mund të arrihet brenda vitit 2009. Një premtim të tillë, komisioneri Fratini e mbështeti në ecurinë e reformave, por edhe në shpresën se Shqipëria do t'i realizojë kushtet e vëna nga komuniteti europian. Gjatë vizitës së tij në mars, ai u shpreh optimist se ky proces me Shqipërinë mund të marrë fund brenda mandatit të Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, që përfundon në vitin 2009. "Përmirësimi i sigurisë së dokumenteve, lufta kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm, mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendit tuaj, janë pikërisht ajo që do BE-ja", - theksoi Fratini, në muajin mars në Tiranë.