Vlorë, PS-ja krijon Bordin me Shoqërinë
VLORË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte dje i ftuar në ngritjen e Bordit të Dialogut me Shoqërinë në qytetin e Vlorës. Bordet qytetare janë struktura autonome në Partinë Socialiste, të cilat përbëjnë një risi në jetën e partive politike, pasi përbëhen nga qytetarë joanëtarë partie. Duke e konsideruar Bordin e Dialogut me Shoqërinë, si një urë lidhëse mes partisë dhe njerëzve, Rama ka nënvizuar nevojën e afrimit të Shqipërisë reale me Shqipërinë në letër. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nënvizuar se, ngritja e këtyre bordeve me qytetarë në mbarë vendin, “do të bëjnë të mundur sjelljen ndryshe të qeverisë në raport me qytetarët, pas fitores së PS-së në zgjedhjet e ardhshme”. “Politika, kur mbetet vetëm një ushtrim i politikanëve, është detyrimisht një trysni, shpeshherë e padurueshme për qytetarët, por këtë nuk mund ta zgjidhin politikanët, në rast se nuk duan ta zgjidhin qytetarët, të cilët duhet të angazhohen pa qenë domosdoshmërisht të detyruar të bëhen politikanë, apo të bëhen anëtarë partie. E pra, “Bordi i Dialogut me Shoqërinë” kërkon dhe synon që të ndërtojë këtë urë dhe ju të jeni ura ku shkojnë dhe vijnë mendimet, ku shkojnë e vijnë opinionet, ku shkojnë e vijnë idetë dhe ku shkojnë dhe vijnë energjitë, që na duhen për t’i marrë, por edhe për t’i ekzekutuar vendimet, në mënyrë që, Shqipëria reale, të jetë shprehje e Shqipërisë në letër. Kemi një Shqipëri në letër që funksionon sepse ka ligje, ka dekrete e ka akte nënligjore sa të duash dhe, kemi një Shqipëri reale, që nuk funksionon, sepse mungon energjia dhe fuqia ekzekutive, për shkak se, politika, është një hapësirë ekskluzive për politikanët”, - tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se, duhet ndërruar natyra e pushtetit dhe, për ta bërë këtë, duhet ndërruar natyra e procesit politik. “Një proces politik, i cili zhvillohet në konflikt, zhvillohet me të shara, zhvillohet me akuza, zhvillohet me fyerje, zhvillohet me të gjithë arsenalin joetik të komunikimit mes njerëzve, nuk mund të prodhojë një pushtet etik, as të efektshëm”, - tha Rama. Ndërsa shtoi se, “një proces politik që zhvillohet me pasionin për ta adresuar ndryshimin nëpërmjet kërkimit, këmbënguljes së zgjidhjeve më të mira dhe të zgjedhjeve më të mira, padyshim që mund të ndryshojë natyrën e pushtetit, mund ta bëjë pushtetin më etik, më të efektshëm dhe sigurisht edhe më pranë qytetarit”.