“PS-PD po eliminojnë parlamentarizmin”
• Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, denoncoi paktin mes lidershipit të PS-PD për reformën zgjedhore.Aristir LumeziMeta u shpreh se, përmes kësaj reforme ata po injorojnë komisionin parlamentar që dy partitë e mëdha ngritën për të bërë reformën zgjedhore. “Në emër të LSI-së dënojmë me forcë iniciativën më të fundit të lidershipit aktual të Partisë Socialiste për sistemin zgjedhor, si një atentat ndaj parlamentarizmit, demokracisë, si edhe opozitës në Shqipëri. Kjo marrëveshje e lidershipit PD-PS, duke eliminuar totalisht komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore, është një shkelje e hapur ligjore e gjithë procedurave parlamentare dhe e pluralizmit politik, duke përjashtuar nga dialogu dhe konsensusi të gjitha partitë e tjera parlamentare”, u shpreh Meta. Sipas tij, eliminimi i komisionit parlamentar dhe dialogut mes të gjitha partive parlamentare, jo vetëm është i rrezikshëm, por është dhe një mashtrim që u bëhet shqiptarëve. “LSI-ja e vlerëson jo vetëm të rrezikshëm, por edhe të turpshëm eliminimin e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, nga lidershipi i PD-PS-së, pasi prej gati një viti, brenda dhe jashtë vendit, drejtuesit e PS-PD-së e trumbetuan si sukses të madh komisionin që do të realizonte një reformë konsensuale”, vijoi Meta. Reagimi i Ilir Metës vjen vetëm një ditë pas depozitimit nga ana e Valentina Leskajt, në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, të nismës për ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore. Socialistët propozojnë sistem proporcional rajonal, ku vendi ndahet në 12 rajone në bazë qarku dhe lista të mbyllura të kandidatëve. Sipas Metës, “ky sistem ka të bëjë vetëm me një përpjekje jo demokratike dhe të dhunshme për të rivendosur në mënyrë të sforcuar dhe artificiale monopolin e vjetër politik PD-PS, që synon mbajtjen dhe uzurpuar demokracinë shqiptare që riciklon të gjithë krizat institucionale, për të cilat lidershipi i këtyre dy partive është përgjegjës gjatë 17 viteve të tranzicionit të tejzgjatur”.ReagimiKryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje të gjithë socialistëve të vërtetë t’i bashkohen koalicionit të majtë “E majta për integrim” për të kundërshtuar manipulimin e fundit që dy liderët e PS-së dhe PD-së po përgatisin. “Ne nuk ftojmë deputetët të asnjë force tjetër politike që të dalin kundër reformës zgjedhore, ne ftojmë lidershipin e PS-së dhe PD-së që të mos eliminojnë parlamentarizmin, sepse Shqipëria është Republikë Parlamentare në Kushtetutë, Shqipëria nuk është një republikë dypartiake PS-PD. Ne i ftojmë që të mbrojnë parlamentarizmin, ne i ftojmë që të mos pranojnë një sistem zgjedhor, i cili është tërësisht i papërshtatshëm për Shqipërinë, që në thelb nuk është proporcional, është një mashtrim i vërtetë, është një “Dushk” i radhës, sepse këto dy forca nuk rrojnë dot pa ‘Dushk’”, tha Meta. Sipas tij, kreu socialist Edi Rama ka shkelur marrëveshjet e firmosura nga të gjitha partitë opozitare. “Jo më kot Berisha e duartrokiti me ngazëllim dhe i pari iniciativën e lidershipit të PS-së dje. Edi Rama, kryetari aktual i PS-së, për fat të keq i bëri një dhuratë dhe një shërbim të madh Berishës, duke i dhuruar një iniciativë, që ai do ta shesë brenda dhe jashtë vendit si një marrëveshje për reformë në dobi të integrimit tonë në NATO”, u shpreh Meta.PDS: Ende ka kohë për të ndalur fatkeqësinëPartia Demokracia Sociale reagoi dje përmes sekretarit Politik të saj, Artur Duçkallari, në lidhje me propozimet e paraqitura për reformën zgjedhore nga ana e PS-së. “Ne kemi mendimin se ka ende kohë për të ndalur rrokullimën politike që reklamohet si sistemi i ri politik”. “Nisma ligjore e çuar në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimin e Kushtetutës për sistemin zgjedhor në thelbin e saj është e nxituar, ka anashkaluar komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe ka treguar e dëshmuar përfundimisht atë që PDS-ja ka paralajmëruar prej kohësh”, tha Duçkallari. Sipas tij, “Sali Berisha nuk i ka respektuar kurrë marrëveshjet dhe as ka për të respektuar as edhe këtë që është arritur. Ai dëshiron të kalojë lumin e Bukureshtit, pastaj e di ai se çfarë bën me kalin”.