E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, 25 të vrarë nga sulmi vetëvrasës

Një vetëvrasës ka hedhur ne erë një makinë të pajisur me lëndë eksplozive në një hotel në veriperëndim të Pakistanit, të premten, duke provokuar vdekjen e të paktën 25 personave në një sulm që ka të ngjarë të jetë për motive sektariane, bënë të ditur zyrtarët vendas. Sipas kryetarit të bashkisë së zonës janë plagosur edhe shumë të tjerë pas shpërthimit të makinës në qytetin Kohat. "Hoteli ishte pronë e një shiiti", informoi një zyrtar i policisë pakistaneze. Disa herë militantët kanë sulmuar me bomba, duke intensifikuar luftën e tyre kundër qeverisë në 2007-ën.
Bomba shpërtheu në një rrugë kryesore pranë qytetit të Kohat, 150 km në jugperëndim të Islamabadit dhe dëmtoi dyqane, dhe banesa përreth. Zona ku ndodhi sulmi është e banuar kryesisht nga minoriteti mysliman shiit dhe në këtë rajon janë regjistruar raste të shpeshta të dhunës sektariane. Militantët talebanë janë nga komuniteti sunit, që përbejnë edhe pjesën më të madhe të popullsisë, dhe sulmet ndaj shiitëve janë pjesë e strategjisë për të luftuar qeverinë. Sulmet e militantëve janë shtuar së fundmi, pas vdekjes së kreut te talebanëve në Pakistan, të vrarë nga një sulm i aviacionit amerikan në 5 gusht. Zyrtarët e sigurisë thonë se luftëtarët besnikë të al Kaeda-s dhe talebanëve përbëjnë ende një kërcënim serioz.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›