E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shtunën në Itali trupat e ushtarëve të vrarë në Afganistan

Është parashikuar për të shtunën në mëngjes sjellja në atdhe, e trupave të ushtarëve italianë të vrarë në Afganistan të enjten. Arkivolët me viktimat do të ulen në aeroportin e Ciampino-s. 6 ushtarë të kontigjentit të trupave ushtarake të Italisë humbën jetën nga shpërthimi i një autobombe në Afganisan. Ndërkaq në aeroportin e Kabulit në Afganistan, në një vend të posaçëm, do t'i jepet lamtumira e fundit ushtarëve të rënë në krye të detyrës. Ata do të përshëndeten nga kolegët e tyre që ende vazhdojnë misionin në Afganistan. Më pas arkivolët do të transportohen në bordin e një avioni C-130 të "Aeronautica" për t'u dërguar në Itali. Agjensitë italiane të lajmeve, shkruajnë se në Romë do të zhvillohen autopsitë dhe në vijim do të zhvillohen dhe ceremonitë mortore shtetëore, edhe pse data dhe vendi për këto ceremoni, nuk janë përcaktuar ende, por ka të ngjarë të zhvillohen të hënën.
Nga shpërthimi i një dite me parë, u plagosën edhe 4 ushtarakë të tjerë italiane, por informohet se gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme aktualisht. Edhe ata do të transferohen pas disa ditësh në Itali. Ka ushtarakë të cilët edhe pse jo me lëndime të rënda fizike, kanë pësuar trauma akustike dhe tronditje nga shpërthimi. Tragjedia e humbjes së ushtarëve ndodhi në Kabul. Autobomba shpërtheu gjatë kohës që patrulla ushtarake po përshkonte zonën. Për pasojë, 15 civilë afganë u vranë, dhe rreth 60 të tjerë u plagosën nga shpërthimi. Sulmi u mor përsipër nga talebanët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›