E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, përmbytjet edhe katastrofë ekonomike

Katastrofa më e rëndë në historinë e vendit ka shkatërruar një të pestën e territorit, ka prekur 20 milionë persona dhe ka shkaktuar një krizë energjetike që ishte tashmë e rëndë, duke e detyruar Bankën Botërore të zhbllokojë menjëherë një ndihmë prej 900 milionë dollarësh dhe komunitetin ndërkombëtar të shtojë ndihmat.

Ajo goditi në radhë të parë bujqësinë, që përbën 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Miliona fshatarëve u është prishur ekuilibri i jetës me rrjedhjet e baltës që shtohen nga shira të rrëmbyeshëm të musoneve, në një vend ku një e katërta e 170 milionë banorëve jetonin nën pragun e varfërisë.

Banka Botërore parashikon një rënie prej një miliardë dollarësh në bujqësi, pa llogaritur dëme më të rënda për tokat. “Kemi humbur rreth 20 për qind të të mbjellave në pambuk. Dëmet në fushën e misrit, kallamit të sheqerit, perimeve dhe peshkimit janë gjithashtu shumë të mëdha”, thekson Ibrahim Mughal, drejtor i një organizate të pavarur bujqësore. Me tekstilin, bujqësia përbën këtë vit tre të katërtat e 21 miliardë dollarëve eksporte të Pakistanit.

Pasoja të mëdha priten edhe në strehim dhe infrastruktura, rrugët dhe rrjetet elektrike e telefonike që ishin pjesërisht të shkatërruara. E gjitha kjo krijon shqetësimin për një rritje të deficitit publik kombëtar që do ta detyrojë qeverinë të marrë më tepër hua. Pasi kishte regjistruar rritjen më të ulët që prej një dekade gjatë vitit fiskal 2008-2009, i karakterizuar nga një kuotë e lartë inflacioni e paprecedentë që prej 30 vjetësh, ekonomia pakistaneze kishte filluar të rimëkëmbej me ndihmën e FMN-së.

Autoritetet parashikonin madje një rritje prej 4,5 për qind për vitin 2010-2011. Por përmbytjet mund t'i kushtojnë vendit “rreth dy miliardë dollarë” ose një pikë në rritjen ekonomike, bën të ditur Ashfaq Hasan Khan, ish-këshilltar ekonomik i qeverisë. Ambasadori i Pakistanit pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Zamir Akram, theksoi se rindërtimi vetëm i veriut të vendit, i përmbytur fillimisht në qendër dhe në jug mund të kërkojë një kosto prej 2,5 miliardë dollarësh.

Për sa i përket konsumit, çmimet e ushqimeve janë rritur tashmë në tregje dhe nuk ka më karburant në disa rajone. Rreth 1 mijë fshatra në jug të Penxhabit kanë mbetur pa energji elektrike. Ekspertët i kanë kërkuar qeverisë së dobët dhe jo popullore, të veprojë shpejt. Ibrahim Mughal i kërkon asaj të bëjë të pamundurën të mbështesë fshatarët, sepse “disa persona që nuk kanë më asnjë vend pune mud të shndërrohen në kriminelë. Por në këtë rast, bëhet fjalë për miliona persona”, paralajmëron ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›