E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakistan, vdesin 16 persona nga shpërthimi i bombës

Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe 70 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në qytetin Peshawar të Pakistanit Veri-Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur nga policia vendase. Sipas mediave lokale, shpërthimi ka ndodhur në një zonë të mbipopulluar, jashtë një xhamie shiite dhe pranë një tregu. Një zyrtar u shpreh se njerëzit janë bllokuar nën rrënoja. Akoma nuk janë të qarta motivet e këtij shpërthimi që ka dëmtuar një sërë ndërtesash. Ndërkohë që një spital i zonës, ku janë transportuar disa nga viktimat ka bërë apel për dhurim gjaku. Sipas mediave, rrugët e mbipopulluara përreth zonës së shpërthimit i kanë bërë shumë të vështira operacionet e shpëtimit. Më herët, gjashtë persona vdiqën në atë që besohet të jetë një sulm sektar në rajonin fisnor të Orakzait. Veri-Perëndimi i Pakistanit ka qënë skena e një numri sulmesh sektare mes myslimanëve shiitë dhe synitë. Shiitët përbëjnë më pak se 20 përqind të popullsisë së Pakistanit, ndërsa shumica janë synitë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›