Pakistan/Shkon në 95 numri i të vdekurve nga bomba
Shkon në të paktën 95 numri i viktimave në Pakistanin veriperëndimor, pasi një atentator kamikaz, i pajisur me bombë hyri me makinën e tij në një fushë plot me njerëz dhe hodhi në erë automjetin me lëndë plasëse. Hetuesit thonë se mes të vrarëve kishte fëmijë dhe paraushtarakë. Dhjetëra të tjerë u plagosën, duke përfshirë disa që ishin mbledhur në një xhami aty afër. Shpërthimi vetëvrasës dhe vdekjeprurës ndodhi në një fshat të largët veriperëndimor pranë qytetit pakistanez të Laki Marvat. Autori i sulmit kishte vënë në shenjestër një turmë njerëzish që po ndiqnin një ndeshje volejbolli në një lagje plot njerëz. Në në interviste telefonike dhënë për Zërin e Amerikës , shefi provincial i policisë Malik Navid duke përshkruar incidentin tha se një automjet u afrua dhe ishte i mbushur me rreth 100 deri në 300 kilogramë lëndësh plasëse. shpërthimi i automjetit shkaktoi edhe shembjen e disa shtëpive aty pranë". Shefi i policisë tha se fshati ku ndodhi sulmi konsiderohej dikur një vendstrehim i kryengritësve talebanë. Megjithatë, ai thotë, se banorët lokalë, me ndihmën e autoriteteve krijuan një milici dhe vranë apo i nxorën jashtë militantët nga ajo zonë. Oficeri i policisë thotë se shpërthimi i së premtes mund të jetë reagim i përpjekjeve kundër militantëve. Rajoni veriperëndimor ku ndodhi sulmi është pranë rajonit fisnor të Vaziristanit ku mendohet që Talebanët lokal dhe afganë si dhe militantët e al-Kaedës kanë vendosur baza stërvitjeje. Këta militantë besohet gjithashtu të jenë të përfshirë në operacione ndërkufitare kundër forcave të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistanin fqinj.