E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani ndalon kërcimet në emër të moralit

Mund të jetë më i bukur se një "belly dance" dhe më hipnotizues se sa ritualet Sufi. "Mujra Dance" praktikohet në lagjet me drita të kuqe të Lahores, kryeqyteti intelektual i Pakistanit, brenda rrugicave të ngushta të "Tregut të diamanteve", në filmat e Bollivudit dhe në teatrot e frekuentuara prej borgjezisë së mesme e të lartë e Punjabit, madje edhe në rrugë. Por ka që nga koha e kurtizaneve të bukura të Perandorisë Moghul, që "Mujra dance" ka qenë e lidhur ngushtë me "Katahk"-un indian, i cili çon në ekstazë një numër të madh njerëzish të pasionuar pas muzikës dhe ritmit. Por, prej disa ditësh teatrot janë bosh, ndërsa balerinat të papuna. Kjo, sepse, të ashtuquajturat "dancing girls" të Lahores kanë hyrë në grevë për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Lartë të Pakistanit që e ndalon këtë lloj kërcimi, për shkak të kostumeve që ato veshin e që konsiderohen të turpshme. Po sipas vendimit të gjykatës, shumë detaje të këtij lloj kërcimi janë erotike, gjë që nuk mund të lejohet kurrsesi në një vend mysliman si Pakistani. Këmbët e zbathura dhe pjesa e hapur në gjoks janë konsideruar shumë sensuale e provokuese dhe qeveria ka propozuar një lloj argëtimi alternativ më të përshtatshëm për familjet. Protesta duket se ka qenë mjaft efikase, por, gjithsesi, balerinat vazhdojnë të protestojnë edhe kundër detajeve, që shumë vetave mund t‘u duken të vogla e të parëndësishme. "Ndoshta ndonjë ditë do të na kërkojnë të kërcejmë me kostumet e grave myslimane, ku të mbulojmë edhe fytyrën e të lëmë jashtë vetëm sytë", ka treguar njëra nga vajzat, që prej shumë vitesh është balerinë profesioniste e këtij kërcimi. Vajzat ndihen mjaft të stresuara e nën presion: "Teatri ka nevojë për kërcimin tonë, ashtu si ne për ujë dhe ushqim. Disa vajza arrijnë të fitojnë rreth 15 mijë rupi në natë dhe shumë prej tyre do të ngelen të papuna, nëse njerëzit nuk kthehen nëpër teatro", tha Rabia, kërcimtare e aktore. Edhe një tjetër intelektual shton: "Nëse institucionet do të vënë në zbatim politika moraliste, grupet fondamentaliste të Xhihadit do të gjejnë arsye të forta për të aplikuar ligjet e Kuranit sipas mënyrës së tyre, me përdorimin e dhunës e terrorit", ka thënë një nga të intervistuarit për anglezen "Independent". "Mujra dance" për nga natyra është një kërcim joshës, shpjegon intelektuali Badar Alam, duke kujtuar se si në vitet ‘80 u bënë tentativa nga shteti për ta ndaluar, por që pak nga pak u rikthye nëpër teatro dhe pushtoi zemrën e publikut vendas. Ajo që ngelet është dilema nëse qeveria ka të drejtë të ndërhyjë në çështje me karakter moral?" Ka ndodhur edhe më parë, si për shembull, tentativa kundër një lokali në "Garhi shahu", ku u vra një klient e u plagosën shumë të tjerë, për shkak të shpërthimit të tri bombave. Vajzat guximtare të "Mujra dance" kanë një armë shumë të fortë për t‘u mbrojtur edhe në planin ekonomik: popullaritetin e jashtëzakonshëm të ekzibicioneve të tyre. Ndërsa teatrot ku vihen në skenë koreografi dhe shfaqje më shumë familjare janë thuajse gjithmonë të boshatisura, lokalet dhe qendrat ku kërcejnë trashëgimtaret e "tawaif", kurtizanet e Perandorisë Moghul, shndërrohen në festa të vërteta popullore, ku çdokush bëhet pre e lëvizjeve sensuale të trupit të balerinave, veshjes, aksesorëve që mbajnë veshur dhe flokët e gjatë deri në kavilje. Por Pakistani nuk është i vetmi vend që merr vendime të tilla për të ndërtuar shoqërinë e moralshme. Njëlloj ndodhi në Bali me ligjin antipornografik të qeverisë islamike indoneziane, që vendosi të ndalonte kërcimet e vjetra hindu, ku kërcimtaret vishnin zakonisht kostume që zbulonin shumë pjesë të trupit. Ndalimi i "Mujras" mund të vërë në rrezik një nga industritë më të lulëzuara të spektaklit kombëtar, e eksportuar gjerësisht edhe në Indi, ku ekziston një formë e ngjashme kërcimi që karakterizohet nga shumë lëvizje sensuale të trupit. Për shkak të paragjykimeve, shumë vajza që vijnë prej Lahores, nga fshatrat e varfër të Punjabit, me rikthimin tyre në vend mund ta ndiejnë veten të mënjanuara e të trajtuara si prostituta. Jashtë Lahores, "Mujra" prej kohësh është e lidhur me bordellot e "Tregut të diamanteve", ku balerinat më të famshme vlerësohen me florinj, apo diamante. Në fakt, këto lloj dukurish janë më se të zakonshme në vendet myslimane. Për shembull, në Arabinë Saudite është ligji që u ndalohen stacioneve televizive të transmetojnë "programe imorale" përndryshe do të vriten, ndërsa në Somali muzikantët janë dënuar me vdekje nga Gjykata Islamike. Aty artistët kanë komentuar: "Duan të na vrasin vetëm sepse bëjmë muzikë". Në Malajzi, Asambleja Kombëtare i dënon ashpër gratë që vishen dhe sillen si meshkuj. Po ashtu, Irani prej kohësh është i shqetësuar për mënyrat e sjelljes dhe të veshjes në vend, që janë larg nga interpretimi tradicional i Islamit. Aty është e ndaluar të tregosh këmbët dhe krahët. Kodi i ri "kryqëzon" këmishat me mëngë të shkurtra dhe pantallonat e shkurtra. Sipas sondazheve, shumica e popullsisë është dakord që policia t‘i ndalojë veshjet shumë të ngushta dhe shumë të shkurtra për vajzat. Të parat që janë vënë në shënjestër kanë qenë vajzat e reja, që shprehin gjithë rebelizmin e tyre duke bërë tualet të rëndë në fytyrë, apo duke veshur ato që u pëlqejnë. Por fushata është shtrirë edhe ndaj peronave që udhëtojnë me makina me zërin e radios deri në fund, ndaj zonjave që u bie shamia nga koka, ndërsa përpiqen të gjejnë një vend për të parkuar makinën, madje edhe ndaj njerëzve që mbajnë qen, i konsideruar sipas Islamit si kafshë e papastër që nuk mund të merret në shëtitje, apo makinë. Kodi i ri i veshjes ndalon edhe tatuazhet, që në publik duhet patjetër të mbulohen nga veshjet. Burrat duhet t‘i mbajnë flokët e shkurtra. Ndërsa janë të ndaluara lyerjet dhe prerjet perëndimore mes të rinjve të Teheranit.

Precedentët

Ligji për TV

Sipas disa ligjeve në Arabinë Saudite, pronarët e televizioneve që transmetojnë programe "imorale" duhet të vriten

Muzikantët somalezë

Muzikantët somalezë janë dënuar me vdekje nga Gjykatat Islamike. Artistët kanë komentuar: "Duan të na vrasin vetëm sepse bëjmë muzikë"

Filmi i kontestuar

"Khuda Kay Liye" (Në emër të Zotit) prodhimi më i madh në Lollivud (industria kinematografike e Lahores), është ndaluar rreptësisht të transmetohet

Gratë e maskuara

Gjykata e Lartë në Malajzi i dënon maksimalisht gratë që vishen dhe sillen si burra. Askush në vend nuk guxon të bëjë diçka të tillë, duke ditur rezultatin

Ligji i Balit

Në Bali një ligj antiporno i qeverisë islamike indoneziane ka ndaluar kërcimet e vjetra hindu, ku kërcimtaret veshin kostume që zbulojnë shumë pjesë të trupit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›