E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani në pritje të ndihmave humanitare

Ndërsa është thelluar kriza nga përmbytja në Pakitan, gjendja e të mbijetuarve po bëhet gjithnjë e më shumë dëshpëruese.

Ditën e mërkurë, ndërsa qeveria ka pritur ndihmat nga jashtë, të prekurit nga përmbytjet më të rënda në vend, janë përleshur me njëri - tjetrin, për kamionet me mallrat ë ndihmave në qarkun e Noësherës.

Gratë në kamione janë përleshur me njëra tjetrën njëlloj si burrat, duke u përpjekur të merrnin thasët me miell dhe me oriz.

Dita e djeshme ka qenë dhe në prag të Ramazanit, muajit të agjerimit mysliman, dhe shumica e banorëve thanë se ushqimi ishte i nevojshëm për fillimin e ritualit në muzg.

"Qeveria duhet të përpiqet t'i ndihmojë njerëzit. Ajo duhet të sigurojë ushqim dhe ujë të pastër. Ramazani ka arritur, por ne nuk po shohim asnjë përpjekje të qeverisë për të na dhënë këto gjëra", tha Muhamed Ali i cili shet bukë në një restorant në anë të rrugës.

Përmbytjet e shkaktuara nga musonet në Pakistan kanë vrarë më shumë se 1600 njerëz, duke detyruar 2 milion njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, dhe duke prekur në total 14 milion njerëz, ose 8 % të popullsisë së vendit.

Një problem të rëndësishëm në vend kanë sjellë dhe përmbytjet e të mbjellave.
Sipas ekspertëve prodhimi i grurit dhe i pambukut për të cilat Pakistani dallohet , në vend mund të bjerë me 10 ose 15 % në muajt e ardhëshëm.

Ndërkohë që në bimët e tjera të prekura nga përmbytjet janë dhe orizi, kallami i sheqerit, dhe misri. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihma të shpejta Pakistanit, pasi e kanë cilëësuar gjendjen në vend si katastrofike, dhe alarmante.

Zëdhënësi i OKB- së, Mauricio Giuliano, tha se në qoftë se ndihmat për nevojat urgjente të popullsisë nuk do të vijnë shpejt, atëherë mund të ketë një valë të dytë vdekjesh, të shkaktuara nga sëmundjet dhe mungesa e ushqimit.

"Ramazani ka mbërritur dhe ne nuk kemi marrë asgjë. Cfarë do të shkojmë për të ngrënë në Iftar?, tha një grua e cila ishte duke u përleshur me gra të tjera, për të marrë oriz dhe miell, por shpesh duke e rrëzuar mallin e marrë nga përleshjet në tokë.

Filantropistët dhe njerëzit nga të gjitha sferat e jetës janë bashkuar me qeverinë dhe agjencitë e ndihmave në përpjekjen për të ofruar ndihmë për viktimat e përmbytjeve.
Shumë njerëz ishin të zemëruar pasi ndihmat e sjella nuk mjaftonin për të gjithë popullsinë.

"Shtëpitë tona janë shembur. Jemi të rrethuar nga përmbytjet, duke pritur ndihma. Kjo është karta ime e identitetit, dhe jam duke pritur ushqim për fëmijët e mi të uritur, tha një tjetër banor, Muhamed Munaëar.

Në jug të vendit, ku ende vazhdojnë përmbytjet, një pjesë e madhe e njerëzve janë strehuar në shkolla, kolegje apo ndërtesa qeveritare. Një pjesë e madhe e njerëzve, janë pa strehim, pa ushqim, dhe janë strehuar në afërsi të hekurudhave.

Sipas OKB- së, në 3 muajt e ardhëshëm do të nevojiten 150 milion dollarë, për të ushqyer 6 milion njerëz.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›