Pakistani njeh pavarësinë e Kosovës
Burime diplomatike kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” se Republika Islamike e Pakistanit ka marrë vendim që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Konfirmimi për këtë njohje pritet që në adresë të Qeverisë së Kosovës të bëhet brenda pak ditësh.
Shteti aziatik me një popullsi 157 milionë banorësh vlerësohet të jetë njohje e rëndësishme për shkak të rolit që ka ky shtet në organizatën islamike dhe tek një varg shtetesh të tjera, që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e Kosovës.
Vendimin e Pakistanit për ta njohur pavarësinë e Kosovës, “Koha Ditore” e ka marrë vesh edhe nga postimet e disa gazetarëve të këtij shteti në rrjetet sociale. Njohjen nga Pakistani e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Artan Behrami. ”Ne kemi marr sot konfirmimin zyrtar të njohjes nga Pakistani dhe jemi në pritje të njohjes verbale, e cila pritet të vijë në MPJ”, ka thënë Behrami për RTK.
...