Prezantohen dy anëtarët e rinj të KLD-së
KLD, struktura të reja të administratës dhe inspektoratit
Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, (KLD) ditën e djeshme u prezantuan dy anëtarët më të rinj të këtij Këshilli, Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh Kryetari i KLD-së, duke uruar dy anëtarët e rinj të Këshillit për detyrën e marrë, u shpreh se, “kontributi juaj do të jetë një vlerë e shtuar në KLD, në objektivat e saj për zhvillimin e sistemit gjyqësor. Ky Këshill i Lartë i Drejtësisë ka një mision shumë të rëndësishëm, ka objektiva konkrete. Jam i bindur që kontributi juaj do të jetë shumë i rëndësishëm, urime dhe suksese”. Ndërsa, anëtarët e rinj të Këshillit, Broci dhe Haxhialushi shprehën angazhimin e tyre për të përfaqësuar në këtë institucion vlerat më të mira të sistemit gjyqësor. Gjyqtarët Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi u zgjodhën në detyrën e anëtarit të KLD-së, nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila zhvilloi punimet e saj pak ditë më pare. Sikurse ishte parashikuar në rendin e ditës, KLD ka marrë në shqyrtim reformën lidhur me stafin administrativ të Këshillit dhe inspektoratin e Këshillit, me synim rritjen e eficensës në veprimtarinë e tyre. KLD ka përcaktuar strukturat e reja organizative të administratës dhe inspektoratit të këtij institucioni. Kështu, me propozim të zv. kryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, Kryeinspektorja, e cila i ka mbaruar mandati, emërohet kryetare e Gjykatës së Apelit në Shkodër. Evjeni Sinoimeri, është emëruar gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. “Këshilli vendosi të caktojë Ilir Mustafaj, përfaqësues, njëherazi Kryetar të Komisionit të Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, pas përfundimit të mandatit të kryetares së mëparshme”, thuhet në njoftimin e KLD-së. Në mbledhje u theksua domosdoshmëria për reduktimin e stafit administrativ dhe rritjen e numrit të inspektorëve, puna e të cilëve ka impaktin më të madh në gjithë sistemin gjyqësor, si në vlerësimin e gjyqtarëve, ashtu dhe në inspektimin e punës së tyre.