Pakoja e Ahtisaarit, juridikisht e pavlefshme për veriun

Pa u zbatuar asnjëherë në veri të vendit, Plani i Ahtisaarit do të zhvlerësohet juridikisht dhe, siç paralajmërojnë ekspertët, ai nuk do të mund të jetë zgjidhje juridike për pjesën më problematike të Kosovës. Kur në shtator të këtij viti, deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë ndryshimet kushtetuese për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, Pakoja e Ahtisaarit do të zhvlerësohet juridikisht, shkruan “Koha Ditore”.
Që nga ai moment, plani i ish-presidentit finlandez nuk do të jetë më i detyrueshëm dhe nuk do të mund të shërbejë për të zgjidhur çështjen e veriut. Pakoja e Ahtisaarit nuk do të ketë më as fuqi interpretuese, pasi me mbylljen e ICO-s, nuk do të ekzistojë më as autoriteti i vetëm që e ka pasur mandatin të plotë që ta interpretojë planin, sa herë që ka mundur të ketë keqinterpretime të tij.
Detyrumet që ka marrë Kosova nga kjo pako, janë pjesë e ligjeve që do të hartohen deri në shtator, por plani nuk do të ketë më vlerë juridike, ka thënë Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për ndryshime kushtetuese.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se Qeveria mirëpret përfundimin e mbikëqyrjes dhe se do të respektojë Kushtetutën e vendit. Sipas tij, nuk paraqet problem mungesa e një interpretuesi ndërkombëtar të kësaj pakoje. Ai ka thekuar se të drejtat që janë dhënë në këtë plan tani janë të drejta të brendshme.
Ndonëse nuk është zbatuar plani, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e ka problem zhvlerësimin juridik të planit. “Pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova do të mbetet e përkushtuar në Kushtetutën e saj dhe në legjislacionin vendas, duke bërë kështu që Gjykata Kushtetuese të jetë autoriteti final i interpretimit të Kushtetutës dhe ligjeve”, ka thënë Dren Selimi, zëdhënës i Zyrës Civile Ndërkombëtare.