E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, Qeveria firmosi në 2003 për mandatin e OSBE

Në vitin 2003, OSBE vendosi mandatin e saj për punën që do të realizojë në Shqipëri, duke i dhënë një natyrë tjetër, në krahasim me atë të pas vitit 1997. Këshilli i Përhershëm i OSBE-së në mbledhjen e mbajtur më 18 dhjetor të vitit 2003, përcaktoi qartë fushën e veprimit të OSBE-së në Tiranë. 

Bledar Hoti

Në vendimin me numër 588 përcaktohet qartazi fusha e veprimit të OSBE-së në Shqipëri. “Që Prezenca, në përmbushjen e qëllimit të saj të përgjithshëm, të përqendrohet në veçanti në: Reformën legjislative dhe gjyqësore, duke përfshirë reformën për pronat; Reformën administrative rajonale; Reformën zgjedhore; - Forcimin e kapaciteteve të Kuvendit; Luftën kundër trafikut dhe korrupsionit, duke përfshirë mbështetjen e zbatimit të strategjive kombëtare përkatëse; Zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve efikase për një media të pavarur si dhe një Kod Etike”, thuhet në pikën 4 të këtij vendimi. Gjithashtu, në të bëhet e qartë se OSBE do të synojë në “nxitjen e miradministrimit dhe projekteve për forcimin e shoqërisë civile; Asistencën për policinë, veçanërisht, në trajnimin e policisë kufitare, brenda një kornize bashkërendimi me aktorë të tjerë ndërkombëtarë në këtë fushë”. Këshilli i Përhershëm përcaktoi më pas se, “që forca e Prezencës të jetë në përputhje me detyrat, që duhen përmbushur sipas këtij mandati në zyrat qendrore në Tiranë dhe në zyrat rajonale, për t’u rregulluar në mënyrën e duhur”. Ky ka qenë vendimi i ndërmarrë nga ana e OSBE-së, e cila e përcaktonte si mandat të sajin deri në dhjetor të vitit 2004. Por pas raportimit të kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Lipponen, mandati i prezencës së OSBE-së, nuk u ndryshua për shkak se Shqipëria do të përballej me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2005. Ndërsa Këshilli i Prezencës së OSBE-së, vendimin e fundit për Shqipërinë e ka marrë më 23 dhjetor të vitit 2006. “Këshilli i Përhershëm vendos, që të zgjasë mandatin e OSBE-së në Shqipëri deri më 31 dhjetor të vitit 2007”, thuhet në vendimin e marrë më 24 dhjetor, që mban numrin 750 të OSBE-së.
Kërkesa e palës shqiptare
Ndërsa Tirana zyrtare siç bëhet publike, nëpërmjet letrës së Ministrisë së Jashtme kërkon ta fokusojë punën e OSBE-së vetëm në tre fusha kryesore. MPJ, sipas deklaratës së ministrit Basha, “i përmbahet qëndrimit se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fushat më prioritare të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i OSBE-së është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Po kështu reforma në drejtësi dhe projektet e përbashkëta të mirëqeverisjes mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit OSBE-Shqipëri”. Këto tre fusha janë edhe kërkesa e Tiranës zyrtare, duke bërë prezenca të heqë dorë nga reforma legjislative, në pronësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Këto shihen si përplasjet me OSBE-së dhe qeverinë shqiptare, ku Tirana zyrtare ka kërkuar përshtatjen e rolit të OSBE-së, në përputhje me realitetet e reja në vend. Ndërkohë opozita shqiptare kërkon që OSBE-ja të vazhdojë të luajë rolin e saj në vend, për shkak se edhe pas një viti Shqipëria përfshihet në zgjedhje.

pikat e marreveshjes

Që Prezenca, në përmbushjen e qëllimit të saj të përgjithshëm, të përqendrohet në veçanti në:
- Reformën legjislative dhe gjyqësore, duke përfshirë reformën për pronat;
- Reformën administrative rajonale;
- Reformën zgjedhore;
- Forcimin e kapaciteteve të Kuvendit;
- Luftën kundër trafikut dhe korrupsionit, duke përfshirë mbështetjen e zbatimit të strategjive kombëtare përkatëse;
- Zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve efikase për një media të pavarur si dhe një Kod Etike;
- Nxitjen e miradministrimit dhe projekteve për forcimin e shoqërisë civile;
- Asistencën për policinë, veçanërisht, në trajnimin e policisë kufitare, brenda një kornize bashkërendimi me aktorë të tjerë ndërkombëtarë në këtë fushë;

Që asistenca dhe mbështetja në fushat e lartpërmendura të jepet me qëllim arritjen e përputhshmërisë së plotë me standardet përkatëse ndërkombëtare, si dhe parimet, normat e angazhimet e OSBE-së.

Prezenca do të ndjekë e raportojë zhvillimet në vend, si dhe do të raportojë në lidhje me zbatimin e mandatit të saj.

Për përmbushjen e detyrave të saj, Prezenca do të bashkëpunojë me institucione të OSBE-së dhe do të përdorë ekspertizën e tyre.

Berisha: Nuk largoj OSBE-në
Kryeministri Berisha ka deklaruar se, “as nuk kam kërkuar, as nuk kam ndërmend të kërkoj largimin e OSBE-së”, ndërsa ka bërë të ditur se, do të kërkojë shtimin e numrit të vëzhguesve të OSBE-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Dëshiroj të falënderoj z. Edvin Rama dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar se fushatën e ardhshme elektorale qeveria do t’i kërkojë OSBE-së të dyfishojë monitorimin, do të ftojë KE, PE, organizatat dhe IRI, do të ftojë të gjitha NGO-të dhe organizmat e institucionet që monitorojnë zgjedhjet. Kjo është detyra ime. Por unë Edi Ramën nga ‘Rustem Muratët’
nuk e shpëtoj dot, sepse tashmë ai e ka gjetur zgjidhjen, kur i cilëson banorë kandidatët për të qetësuar partinë e tij”, deklaroi Berisha.

OSBE, diplomati amerikan dha alarmin
Një diplomat i lartë amerikan në një takim informal me gazetarë, shprehu shqetësim për përpjekjet e maxhorancës për të larguar misionin e OSBE-së nga Shqipëria. Diplomati theksoi se ky fakt, nëse del i vërtetë, do të ishte fatal dhe se në këtë rast, ashtu si edhe në rastin e ligjit të ri për Prokurorinë, do të sjellë reagimin publik të Uashingtonit. “Kjo na shtyn të ngremë pikëpyetjen, nëse gjithë këto përpjekje lidhen me rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe procesin që do t‘i shoqërojë ato, para, gjatë, si dhe pas votimit. E theksoj, këto janë sinjale dhe prova fillestare. Ne nuk duam, që këto të jenë prova të vazhdueshme në një vit të rëndësishëm për Shqipërinë”, u shpreh diplomati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›