E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Demonstratë më 18 shkurt, paqësisht por vendosmërisht

Paqësisht, por vendosmërisht. Kjo është motoja me të cilën kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i fton mbështetësit e opozitës në demonstratë më 18 Shkurt. Në një komunikim të djeshëm me median, Rama deklaroi se në këtë protestë do të kërkohet liri, transparencë dhe drejtësi. “Gënjejnë dhe na thonë gënjeshtarë. Vjedhin, na thonë hajdutë. Vrasin dhe na thonë vrasës. Nuk e kanë me ne, e bëjnë vetëm për pushtetin, që duan ta mbajnë me çdo kusht, duke vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe shqiptarët. Po as ne nuk i bëjmë demonstratat për veten, po për Shqipërinë dhe shqiptarët”, theksoi Rama. Një arsye më shumë për të dalë në demonstratë, në vlerësimin e Ramës, është edhe fakti që votat vidhen dhe pasuritë kombëtare plaçkiten me vendime të paligjshme. “Paratë fitohen mal nga kusarët, duke bërë gropë ekonominë për qytetarët, duhet të protestojmë për të varfrit, për të papunët, për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi, që me lekët e punës së ndershme nuk përballet dot më me rritjen e frikshme të çmimeve. Do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt. Do të kërkojmë rrugën e re, zgjidhjen e re, shpresën e re. Paqësisht, por vendosmërisht”, ngulmoi Rama. Kreu i opozitës i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në demonstratë për të vrarët, për të rrahurit, për të sharët e kokëpalarët, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që ky pushtet vrastar kusarësh i ka lënë pa punë, pa ndihmë, pa shpresë dhe i tall përditë, duke u thënë lum si ju për qeverinë dhe ekonominë që keni. Do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt, vijoi Rama, do të kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë kundër korrupsionit e fund të represionit. “Kjo e jona s’është një luftë për pushtet, por një betejë e ligjshme, demokratike, e domosdoshme për të pasur në këtë vend atë që çdo shqiptar i zakonshëm meriton, shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët në vend të regjimit të padrejtësisë për kusarët. Një shtet që vret njerëzit me pushkë në mes të kryeqytetit, nuk është shërbëtor i qytetarëve, por vegël e pushtetit. Ne do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt, për të kërkuar shtetin e qytetarëve dhe refuzuar pushtetin vrastar të kusarëve. Paqësisht por vendosmërisht”, nënvizoi kreu i opozitës. Në vlerësimin e tij tanimë nuk bëhet fjalë për një luftë politike midis Partisë Socialiste me Partinë Demokratike. Kjo, sqaroi Rama, është beteja e Shqipërisë që s’pranon të dhunohet, të varfërohet, papunësohet, të nënshtrohet, të poshtërohet nga buka e qeverisë, me një pushtet që s’është më, ka kohë që s’është më, as përfaqësuesi i demokratëve të zakonshëm, i shqiptarëve të ndershëm dhe punëtor që shohin djathtas, për më shumë shanse për t’u pasuruar me konkurrencë të lirë. “Ka kohë që s’gjejnë tek kjo palo e djathtë në pushtet, asgjë tjetër veç kusarisë e gënjeshtrave, të mishëruara së fundi në një video hajdutëri marramendëse. Ne do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt, bashkë me ta dhe për ta, për çdo qytetar, i majtë apo i djathtë, sepse më shumë se kurrë kjo është një përballje përtej të majtës dhe të djathtës. Mes shqiptarëve të majtë dhe të djathtë, po njësoj të varfër, të papunë, të pamundur përballë çmimeve dhe halleve dhe regjimit të kusarisë, që vret e vjedh përditë sa majtas e sa djathtas”, nënvizoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›