Ruçi-Berishës: Po të ishte puç, s’do rrije asnjë minutë në këmbë
Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje në Kuvend se i vetmi fajtor për 21 janarin është Kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Shumë kanë besuar se ti në pushtet erdhe ndryshe, se do silleshe ndryshe, se nuk do bëje të njëjtat gabime. Se nuk ishe më i njëjti, ai që në ‘97 Shqipërinë e çoi në greminë, duke lënë pas mbi 3000 shqiptarë të vrarë, miliona euro të humbura nga kursimet e qytetarëve, duke lënë pas shkatërrim, djegie, anarki, duke lënë pas një vend të rrënuar e një popull të varfëruar deri në mjerim. Por unë dhe shumë si unë, nuk kam besuar për asnjë çast se kishe ndryshuar. Dhe ja ku e vërtetove, duke u dhënë përgjigjen tënde edhe atyre që të besuan se nuk ishe më i njëjti. Fatkeqësisht i dhe përgjigjen më të keqe e të pamerituar, me grykë armësh e plumba krimi në trupa shqiptarësh. Je po ti që Shqipërisë e shqiptarëve i mbjell vrasje, plagosje, gjak të pafajshmish, dhunë, anarki e përçarje”, tha dje Ruçi në Kuvend. Kryetari i deputetëve socialistë shtoi se është kryeministri i vendit, ai që po mbron vrasësit e katër qytetarëve ditën e 21 janarit. “Ti nuk je burrë shteti, e as nuk mund të jesh kurrë i tillë. Por je vetëm një burrec i pushtetit tënd të korruptuar dhe ekzekutorëve, që vrasin shqiptar të pafajshëm, për të të mbrojtur ty dhe kullën tënde të korrupsionit...”, tha ai, duke e akuzuar Berishën si “hajdut dhe vrasës”. Ruçi shtoi gjithashtu se nuk ekziston grushti i shtetit, i pretenduar nga Lryeministri Berisha. “Jo Sali, nuk ka asnjë puç e grusht shteti, se po të kishte, ti nuk do rrije dot 1 minutë në këmbë e tani në këtë moment do ishe skutave të Viçidolit, duke u fshehur e duke ia mbathur nga sytë këmbët...Grushti i shtetit brenda shtetit ka autor vetëm ty, duke kërkuar të marrësh peng Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, gjykatat, SHISHI-n, madje dhe vetë opozitën”, - tha ai. Ruçi kërkoi gjithashtu që t’i jepet fund edhe komisionit hetimor parlamentar. “Jepi fund atij komisioni të turpshëm hetimor sepse nuk ka asnjë institucion që mund të justifikojë dalldinë tënde me armiq të brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi ai.