Qeveria nxjerr në shitje 1280 objekte publike
Qeveria vendos të privatizojë brenda këtij viti, 1280 sipërmarrje dhe objekte publike. Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e Task Force për privatizimin, në të cilën u diskutua mbi procesin e privatizimit të aksioneve, në pronësi të qeverisë në sipërmarrjet strategjike, sipërmarrjeve të tjera, të vogla e të mesme dhe objekteve publike të përcaktuara për privatizim, me përjashtim të hidrocentraleve e digave të mëdha, shkollave, spitaleve, ndërtesave publike e zyrave. Kryeministri Berisha, duke evidentuar se janë 1280 sipërmarrje dhe objekte publike për privatizim, u kërkoi anëtarëve të Task Force-s të mobilizohen të gjitha potencialet dhe burimet njerëzore, që ky proces të finalizohet brenda këtij viti. “Ky proces, - tha Kryeministri - është i një rëndësie përcaktuese, së pari, për luftën kundër korrupsionit, që mbetet gjithnjë kriteri dhe shtylla e parë e reformës sonë ekonomike. Të gjithë këto sipërmarrje dhe objekte duhet të kalojnë në duart e sektorit privat për menaxhim”. Në analizën e këtij procesi, Kryeministri Berisha tha se objektiv madhor i qeverisë për këtë vit është finalizimi i privatizimit për të gjitha asetet e përcaktuara për këtë proces nga të gjitha ministritë, si në rrafshin e aksioneve që kanë mbetur në sipërmarrjet strategjike dhe sipërmarrjet e pa privatizuara, ashtu edhe në rrafshin e të gjitha aseteve dhe sipërmarrjeve të tjera, që janë për t’u privatizuar. Në vlerësimin e kreut të qeverisë, ky proces është i një rëndësie përcaktuese, së pari, për luftën kundër korrupsionit, që mbetet gjithnjë kriteri dhe shtylla e parë e reformës sonë ekonomike. “Të gjithë këto sipërmarrje dhe objekte duhet të kalojnë në duart e sektorit privat për menaxhim. Kjo është në përputhje të plotë me filozofinë e reformave tona ekonomike, është në përputhje të plotë me vendosmërinë tonë për të zvogëluar gjithnjë e më shumë sektorin publik në këtë vend, në përputhje me filozofinë tonë për të rritur në tërësi eficencën dhe menaxhimin ekonomik në vend”, u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë kujtoi se vitin e kaluar janë bërë përpjekje dhe ka pasur një seri privatizimesh, si dhe janë bërë të gjitha përgatitjet, që gjatë këtij viti të finalizohet privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve, përveç hidrocentraleve dhe digave të mëdha, shkollave, spitaleve, ndërtesave publike, zyrave. “Ne duhet të ecim drejt privatizimit të plotë. Duhet të shiten të gjitha aksionet e shoqërive aksionare, qoftë ato të sektorit strategjik, qoftë të tjera të vogla e të mesme. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lakmi, që ne të mbajmë pronësi mbi to. Duhet t’u rikujtoj se sektori privat sot është përgjegjës për rreth 84 për qind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Ne duhet të bëjmë që kjo përqindje të shkojë edhe më lart”, këmbënguli Kryeministri. Sipas tij, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mobilizojmë të gjitha potencialet për finalizimin e këtij procesi. Mësohet se Ministria e Ekonomisë ka kontraktuar institucionet private ndër më seriozet, firma ndër më seriozet në Europë e në botë, për privatizimin e Albtelekomit në një proces për shitjen e aksioneve të qeverisë në Albtelekom. “Ministria e Ekonomisë po punon me IFC, Korporata Ndërkombëtare Financiare, për privatizimin e hidrocentraleve të vogla jo strategjike. Ministria e Financave po punon me një firmë serioze ndërkombëtare, për privatizimin e INSIG-ut. Ne do të shkojmë drejt privatizimit të plotë. Ekonomia shqiptare merr një shtytje të re nga kjo valë e privatizimeve të këtij vit. Procesi i privatizimit është ‘perpetua mobile’, sepse në procesin e zhvillimit krijohen gjithnjë pasuri publike, por kjo qeveri është e vendosur që dora-dorës të shkojë drejt privatizimit të tyre të vazhdueshëm”, theksoi Berisha.