Na ishte një herë Partia Socialiste
Gjendja është serioze, por jo e pashpresë. Partia Socialiste po përjeton asfiksinë më të madhe politike që pas shndërrimit nga parti komuniste në një parti socialiste. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet nga ndërrimi i detyruar i terminologjisë nominale, por që nuk ishte një kusht i domosdoshëm për ndërrimin edhe të ideologjisë funksionale. Edhe sot me bojkotimin e institucioneve PS po tregon se mbart një kromozom X të së kaluarës,po tregon një vetë-izolimin nga shoqëria shqiptare. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama po dëften një kryeneçësi të pashoqe në lënien e gjëra në amulli të plotë të opozitës. Ndofta është një mungesë vizioni, apo, ndofta parashikon një kataklizëm ku të bëjë politikën që i shkon më përshtat. Kështu siç janë punët e opozitës, ne, jemi spektatorë të një dekadencespektakolare të një misioni fisnik siç është opozita e gjithë kahershme, që për të thënë të vërtetën sot në numra deputetësh është shumë e fortë po të ishte në parlament. Mirëpo mjerisht PS nuk arrin të krijojë asnjë magji, bile, as një program politik racional. Gjithçka është një mega-fanta-shoë histerik i të bërit kapital politik. Ndërkohë zgjedhjet lokale po afrojnë në mënyrë të frikshme për bashkitë e mëdha që janë “zaptuar” nga administratorë jo fort profesionalë. Në Vlorë kemi një kryebashkiak që më shumë se një politikan sillet si i forti i lagjes “çole”. Po ashtu në Durrës kemi një kryebashkiak socialist jashtëzakonisht apatik, madje jashtë sistemit racional të politikës për shkak të paaftësisë së menaxhimi të një qyteti të madh si Durrësi. Ndërsa në Tiranë kemi një kryebashkiak që është njëkohësisht kryetar partie, pra është i ndarë në procese pune të lodhshme, e që nga nxitimi i tepërt vendos firma do ku do: si për shembull në tjetërsimin e 1.300 metra hapësirë publike me një çmim qesharak. Sistemit politik shqiptar nuk i lejohet një sistem bi-polar pasi me një parti opozitare kaq të humbur sesa sot, gati azmatike në pozicionet e saj thekson nevojën e një parti tjetër opozitare, me qëllimin për të krijuar sadopak një ekuilibër demokratik duke kontrolluar maxhorancën në qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. është e qartë se Partia Socialiste nuk ka më frymëzim për të bërë politikë,është telendisur një organizatë që shpërndan ose del në konferenca të përditshme për llafo-shtyp për të lexuar ca hartime shkel e shko. Retorika e tyre është tepër bajate, plot bashkëtingëllore fyese dhe ndëshkuese në të njëjtën kohë. Prandaj edhe sot opozita reale e këtij vendi është në një hall të dukshëm përfaqësimi. Në një intervistë të paradokohëve, separatisti i PS Ben Blushi e quajti kështu katandisjen e partisë: “Duket sikur në PS, sot ka më shumë pyetje se përgjigje dhe kjo është normale, sepse socialistët dhe shqiptarët nuk ishin përgatitur për këtë humbje që do ende kohë për t’u gëlltitur. Fatkeqësisht PS-ja sot i ngjan asaj lopës së urtë që bashkë me barin gëlltit edhe gozhdën dhe pastaj gozhda, pasi i çan barkun i thotë lopës - vetë e kishe fajin, unë gozhdë jam dhe nuk di të bëj gjë tjetër”. Dhe ka të drejtë PS sepse me pretencat e saj akuzues po i hap barkun një shoqërie të lodhur nga radikalizmi i politikës në kufijtë e arsyes. Asambletë e jashtëzakonshme të kësaj partie kanë qenë të pa dobishme për ripërkufizuar linjë e partisë mbi ceshtjet e mëdha të vendit, që kuptohet vetiu nuk janë sajesat e kauzave politike “të hapjes së kutive”, por modernizimi i shtetit shqiptar duke bashkëpunuar në arritjen e disa standardeve politike. Një gjë është qartësisht e dukshme se nëse vijon konfuzioni në Partia Socialiste rrezikon shumë, deri në vetë-shkrirje....