Pakti i PS, LSI: Jo marrëveshjeve, që dalin mbi shtetin ligjor
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka kërkuar që partitë politike të mos bëjnë marrëveshje të fshehta në këmbim të integrimit të Shqipërisë.
TIRANË Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër paketës prej 10 pikash të propozuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka kërkuar që partitë politike të mos bëjnë marrëveshje të fshehta në këmbim të integrimit të Shqipërisë. LSI-ja i mbetet propozimit të saj të kahershëm për një pakt kombëtar për integrimin, për të cilën duhet të punojnë edhe dy partitë e mëdha. “Pakti kombëtar për integrimin nuk mund të jetë në asnjë rast një mundësi për realizimin e interesave të ngushta partiake, për vendosjen e kushteve të njëanshme, nuk mund të jetë mundësi për realizimin e interesave të ngushta të individëve, apo për kontrollin e njëanshëm politik të institucioneve. Nuk mund të jetë gjithashtu edhe mundësia e zëvendësimit të veprimtarisë kushtetuese dhe shtetit ligjor, me marrëveshje politike, që dalin mbi to dhe që synojnë realizimin e shtetit të partisë në vend të shtetit ligjor, të drejtë, të barabartë për të gjithë shtetasit pavarësisht preferencave politike apo ideologjike të tyre”, - tha Vasili. LSI-ja u drejtohet partive në Kuvend që të japin votën dhe të bëjnë detyrën e tyre në lidhje me 12 rekomandimet e vendosura nga BE-ja. Pak ditë më parë, kryetari i opozitës, Edi Rama, paraqiti për mediat një paketë prej 10 pikash të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar nevojën e konsensusit për çështjet më delikate, që shfaqen sot për zgjidhje. Pakti nis me votimin me konsensus të ndryshimit të rregullores, vijon me domosdoshmërinë për një reformë zgjedhore, duke marrë parasysh rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it, të drejtën e opozitës për të pasur tre anëtarë në Këshillin e mbikëqyrjes së BSH-së, si dhe një sërë çështjesh të tjera, që i adresohen kabllogrameve të Wikiliks dhe punës së Prokurorisë.