E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Kuntis: Kriter kryesor zgjidhja e ngërçit

TIRANË Pak ditë para publikimit të progres-raportit për Shqipërinë, raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nikolas Kuntis, ka deklaruar se klasa politike shqiptare nuk duhet t`i ndërlikojë problemet, por t`i zgjidhë ato. Sipas tij, kriteri kryesor është zgjidhja e ngërçit politik, që ka bllokuar reformat integruese. “Jemi në momentin e analizës së përmbushjes së kritereve për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat. Situata politike në Shqipëri, me aq sa kam dijeni, është e ndërlikuar, por ka shenja përmirësimi. Qëllimi i të gjitha institucioneve evropiane është përmbushja e kritereve politike e demokratike, të cilat do ta sjellin Shqipërinë më afër BE-së. Unë mendoj se duhet gjetur zgjidhja e ngërçit politik aktual dhe zgjidhja e një sërë problemeve politike, ekonomike dhe reforma në drejtësi. Forcat politike shqiptare duhet të bëjnë kujdes, të mos i shtojnë problemet, por t’i zgjidhin ato. Ky do të jetë kriteri madhor për t’u pranuar. Është në dorën e politikës shqiptare, që situata të avancojë”, - tha Kuntis. Sipas tij, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për sa i takon situatës ekonomike. Ai bën thirrje për t`u fokusuar në objektivin kryesor, siç është hyrja në BE, në një kohë kur gjeopolitika nuk është e qetë. “Ndryshe nga kriza e përgjithshme ekonomike, unë mendoj se Shqipëria ndodhet në një situatë pozitive. Por jam pak i shqetësuar nga ndikimi që mund të shkaktojë në Shqipëri kriza greke dhe italiane. Mendoj se Shqipëria nuk ka të njëjtat probleme si vendi im dhe vendet e tjera, por situata nuk është e thjeshtë, por e vështirë, sepse kemi një krizë globale dhe rreziku kërcënon të gjitha vendet”, - u shpreh ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›