E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti me Greqinë, “embargo” peshkimi në Sarandë

SARANDË- Debati i hapur rreth kufijve detarë me Greqinë përjetohet me shqetësim nga peshkatarët sarandjotë. Në prononcime për “Gazeta Shqiptare”, ata thanë dje se kanë nisur të dëgjojnë paralajmërimet e peshkatarëve grekë për të mos peshkuar në ato hapësira ku ishin të lirë të peshkonin deri dje. Sadik Barjami tha se ndjehen të vënë para situatash të reja në gjuetinë e tyre të përditshme, ndërkohë që të tjerë veçojnë si mangësi mospajisjen me harta detare për të qenë më të orientuar në lëvizjen e tyre në det. Vilson Aliaj, një peshkatar i trata-kocave në Sarandë, ka raportuar edhe në drejtori një rast flagrant të qëndrimit të ri të kolegëve grekë në det. Ai ka bërë fjalë për një paralajmërim që i ka ardhur përmes radios së anijes, për ta harruar Kepin e Qefalit që përshkonte deri dje, pasi këtej e tutje ato janë ujëra greke. “Nëse marrëveshja do të marrë edhe miratimin e parlamentit shqiptar, - u shpreh një tjetër peshkatar sarandjot, - neve do të na duhet të peshkojmë nëpër ferra, se deti na vjen në metrin e fundit të gjirit të Marinës”. Një tjetër peshkatar i vjetër, Skënder Malile, ndryshe nga kolegët e tjerë na tha se e gjitha ajo që dëgjohet është “çorbë” e gatuar nga mediat, pasi me peshkatarët grekë marrëdhëniet i kanë si më parë dhe se asgjë nuk ka ndryshuar në kuadratet ku ata vazhdojnë të peshkojnë të pashqetësuar e të pandikuar nga ato që thonë televizionet. Inspektori i peshkimit, Ilirjan Çepe tha se ka mbaruar në vitin 1993 shkollën e Marinës në Vlorë dhe nuk ka asnjë ide të qartë se ku kanë qenë kufijtë detarë mes nesh dhe shtetit grek. Në zyrën e tij ai mban një hartë topografike, së cilës i referohet për menaxhimin e gjuetisë së peshkatarëve të ndërmarrjes së Peshkimit në Sarandë. Fjala është për një flotë peshkimi që ka në përbërje të saj dhjetë anije të gjuetisë së trata-kocave dhe 25 peshkarexha të tipit motofluga. Ai thotë se çdo ditë kjo flotë shpërndahet në hapësirën detare që nis nga gjiri i Sarandës, në Qefal, Himarë dhe Kepin e Stillos. “Frika e peshkatarëve tanë se mos u ngushtohet hapësira e gjuetisë për shkak të marrëveshjes për ndarjen e re të kufijve detare me Greqinë, është e madhe. Por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar dhe asnjë komunikim nga ministria e Mjedisit, që mbulon edhe ujërat e peshkimit”, - shprehet ai. Nënoficeri në pension, Llazo Polo në Sarandë, thotë se është çuditur kur ka dëgjuar se edhe ishulli i vogël i Togos, sipas marrëveshjes për ndarjen e re të ujërave i ka kaluar Greqisë. “Unë kam qenë 35 vjet në kufi, nga piramida në piramidë, - tha ai - dhe mbaj mend që ai ishull ka qenë në territor shqiptar, pasi atje shkonin për gjueti derrash Mehmet Shehu, Kadri Azbiu etj”.

Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.

Pak ditë më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë. Marreveshja pritet te ratifikohet nga Parlamenti ne javet e ardhshme.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›