E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Remzi Hoxha", për Kumbaron vendimi jepet në Nëntor

TIRANE-Gjykata e Apelit në Londër do të shprehet më 11 nëntor lidhur me kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e ish-shikasit Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha 14 vjet më parë. Avokatët e Kumbaros i kanë kërkuar kohë gjykatës për të përgatitur konkluzionet e mbrojtjes, kjo për shkak se ishin në pritje të disa dokumenteve mjaft të rëndësishme nga Shqipëria. Një gjykatë e Londrës vendosi ta lejojë ekstradimin e Kumbaros, edhe pse ai pretendonte se nuk ishte personi i kërkuar nga autoritetet shqiptare, por një qytetar kosovar me emrin Shaqe Shatri. Por, avokatët e të kërkuarit e apeluan vendimin me shpresën për të fituar betejën në apel, që Ilir Kumbaro të mos i dorëzohej drejtësisë shqip-tare.
Procesi gjyqësor ndaj Kumbaros dhe të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, ka nisur prej afro dy vitesh në Gjy-katën e Krimeve të Rënda. Para gjy-katës kanë dëshmuar mjaft dëshmitarë, të cilët kanë sjellë fakte mjaft të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe prej atëherë nuk u mësua asgjë rreth fatit të tij. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë akuzohen dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›