E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pal Melyshin e infiltroi në radhët e bandës Kadri Hazbiu”



Pjesëtar i bandave të armatosura apo oficer i Sigurimit, i infiltruar në radhët e tyre. Dilema për historinë e Pal Melyshit prej kohësh është e pranishme në opinionin publik. Kundërshti, madje ka pasur edhe në rrethin e familjarëve të tij.

Përkundër versionit të të atit, Nikoll Melyshi për vrasjen e Palit, si pjesëtar i vullnetshëm i luftatarëve të malit, të bërë publike ditët e fundit në faqet e “Panorama”. Gazeta zbulon dëshmitë e të vëllait, Lek Melyshit, i cili argumenton veprimtarinë e tij si oficer i Sigurimit, i infiltruar në radhët e bandave të armatosura. Në librin e botuar së fundi, “Krahina e Kthellës dhe bajraktari Gjon Melyshi”, kushtuar kontributit të Kullës “Melyshi” dhe burrave të saj për lirinë dhe prosperitetin e vendit, Lek Melyshi përshkruan me hollësi e argumenta, atë çka ndodhur me të vëllain, Palin, si protagonist i një misioni sekret të zbulimit të shtetit. Pavarësisht mendimeve të njëjta me të atin për retrospektivën e viteve të komunizmit në Shqipëri, Lek Melyshi, duke shpërfillur kompleksitetin e ngjarjeve, mundohet të depërtojë në thelbin e tyre dhe i risjell në kohë me mesazhet që mbartin për të vërtetën dhe vetë historinë. Fakti që ka qenë për disa vjet pjesë e strukturave të Ministrisë së Brendshme, i ka dhënë privilegjin për të siguruar dokumenta e prova të qenësishme, të cilat zbulohen për herë të parë...
Pal Melyshi, jetëshkrimi
Pal Nikoll Melyshi u lind në 15 prill 1926, në lagjen “Serrisht” të Rrëshenit. Arsimi: i mesëm profesional. Profesioni: agronom. Gjendja sociale: nëpunës. Shkollën fillore e kreu në periudhën 1934-1936 në Peqin, ku babai ishte i transferuar si oficer dhe kishte marrë me vete familjen. Në vitin 1937 mbaroi klasën e tretë në shkollën “Man Kukaleshi”, Tiranë dhe gjatë vitit 1938 mbaroi klasën e katërt në Elbasan. Më vonë, me rihapjen e shkollave pas pushtimit të vendit përfundoi shkollën “Ushtima e Maleve” në Orosh të Mirditës. Në vazhdim ka kryer “Istitutin Bujqësor” në Golem të Kavajës dhe në datën 25.5.1943 ka marrë diplomën si agronom. Në këtë kohë është kthyer në familjen e tij në Shkodër dhe në muajin nëntor 1943 është larguar familjarisht nga Shkodra, për shkak të luftës, për të shkuar tek “Trolli i Vjetër” në Serrisht, në shtëpinë e madhe të Melyshve. Në mesin e tetorit 1944, Pali shkoi me një kompani partizanësh në rrugën që të çonte drejt Shëpalit. Në kohën që brigadat partizane erdhën në krahinën e Mirditës, ai u lidh me to, fillimisht si udhërrëfyes e informues dhe më pas u inkuadrua partizan në Brigadën e Shtatë. Në radhët e saj mori pjesë në luftimet për çlirimin e Shënpalit, Gziqit, Shkodrës, Reçit dhe me kërkesën e Bardhok Bibës është kthyer në Shënpal të Mirditës, ku është emëruar në komandën e vendit, me detyrë “intendent i rrethit”. Me rekomandimin e Bardhok Bibës më 5 janar 1945 është pranuar anëtar i Parisë Komuniste. Në vitin 1946 ka kryer kursin tre mujor për punë partie në shkollën e Dakës, në Kodër Kamëz, Tiranë. Prej këtej është transferuar në nënprefekturën e Koplikut, me detyrë Sekretar i Dytë i Komitetit të Partisë së Rrethit. Në pranverë të vitit 1946 emërohet në Komisionin e Planit të Shtetit dhe pas gjshtë muajsh transferohet në Mirditë, me detyrë shef i propagandës në komitetin e Partisë. Në vitin 1949 transferohet në Komitetin e Partisë së Shkodrës, ku shërbeu deri në shtator të vitit `49. Në muajin shtator të vitit `49, Pal Melyshi, me kërkesën e tij është “arratisur”. Ai veproi me bandat e armatosura, duke bashkëpunuar me Organet e Sigurimit të Shtetit deri në 12 prill të `50, ku ra heroikisht në krye të detyrës.
Tinka Kurti për Pal Melyshin
Në vitin 1941 Tinka Kurti dhe familja e saj jetonin në Lushnjë. Babai i saj Ded Kol Thani ishte nëpunës në administratën e atjeshme dhe kishte shumë miqësi me Nikoll Melyshin. Nikolla shkonte shpesh në shtëpi të Dedës dhe i lutej që të kujdesej për Palin, sepse ishte me pikëpamje antiqeveritare dhe shoqëria e tij studentore e Kavajës ishte e dyshimtë. Babai i Tinka Kurtit çdo fundjavë shkonte me motoiçikletë në shkollën bujqësore të Kavajës dhe e sillte Palin te shptëpia e tij në Lushnjë. Nëna e Tinkës, Saveta (Elisabeta) i shërbente si fëmijës së vet, i lante rrobat ja hekuroste etj. Ajo i lutej të shoqit që ta bindte Palin për të hequr dorë nga shoqëria e keqe dhe mendimet që kishte. Pas disa kohësh Nikolla, babai i Palit, i tha Dedës që të dua kumbar për krezmimin e Palit meqënëse këtu në Lushnjë u hap kisha katolike “Riti Uni”. Ranë dakort dhe një ditë Tinka bashkë me Palin, u shoqëruan nga prindërit për në ceremoninë e krezmimit të tyre. Deda më vonë u transferua në Shënpal të Mirditës me detyrë nënprefekt. Ai nuk e mori familjen me vete për shkak të kushteve të vështira. Në kohën e Italisë, tregon Tinka, prindërit e mi kanë shkuar në shtëpinë e Melyshajve për festën e Shnapremtes që është festa fetare e krahinës së Kthellës.
Sfida e “Furtunës”
Pal Melyshi ka pasur shok të afërt Bardhok Bibën. Vrasja e tij e preku thellë në shpirt. Pikërisht, në këtë kohë kërkoi nga Drejtori i Punëve të Brendshme të Shkodrës, Ilmi Seiti, të lejohej të futej me mision në radhët e bandave të armatosura, me qëllim që të hakmerrej personalisht për shokun e tij të ngushtë, Bardhok Biba. Kërkesa iu transmetua menjëherë ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, i cili u takua me Palin në shtëpinë e Partisë, që ndodhej në rrugën “Badra” të Shkodrës. Në atë takim kanë qenë të pranishëm Kadri Hazbiu, Ilmi Seiti dhe Rasim Dedeja. Aty, Pali parashtroi kërkesën për t’u futur në radhët e bandave, synimet e tij, legjendën e arratisjes etj. Teksa miratoi idenë e tij, Mehmet Shehu kërkoi të dinte sesi e kishte menduar Pali sigurimin e jetës, në ndonjë përpjekje apo rrethim nga brigada e ndjekjes ose nga pjesëtarët e bandës. Në përfundim të takimit u ra dakord, që Pali të infiltrohej në radhët e të arratisurve. Prej këtej nisën dhe procedurat sekrete... e tanimë Pali do të njihej me emrin “Furtuna”. Ai, para se të nisej me mision, i kërkoi Kryetarit të Degës së Brendshme të Mirditës për t’u takuar me Kadri Hazbiun. Takimi u realizua shumë shpejt dhe në të Kadri Hazbiu i dha urdhër për të mos bërë asnjë vrasje, madje të përpiqej të pengonte dhe të tjerët, me pretekstin se ato i ekspozonin dhe për pasojë ndjekja bëhej më e rreptë ndaj tyre. Ndër detyrat e tjera që i caktoi Kadri Hazbiu ishin sigurimi i informatave për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të bandave, kush ishin kokat udhëheqëse, cilët prej tyre ishin më aktivë dhe çfarë bazash kishin në terren.
Dy javët e para të muajit shtator ‘49, Pali u izolua në një bazë sekrete, ku u përgatit intensivisht si agjenturist, shifrant dhe qitës. Fill pas kësaj, doli në mal. Fillimisht, pjesëtarët e bandave nuk e afronin. Për ta Pal Melyshi mbetej komunist dhe nuk mund t’i besohej derisa të jepte prova, siç mund të ishte atentati ndaj ndonjë komunisti etj. Situata dukej kritike. A duhej që Pali të bëhej vrasës i ndonjë personi partiak apo shtetëror? Kjo ishte një sfidë sa e rëndësishme aq dhe e vështirë. Ditë e natë mendonte si të mund ta kapërcente këtë pengesë të paparashikuar. Më në fund i ra ndërmend se një vetëplagosje dhe një një manovër me armë zjarri mund të jepnin efektet e duhura. Kështu mendoi dhe shkoi në bazën sekrete në Malaj, Mirditë. Me kërkesën e tij erdhën aty Kryetari i Ndjekjes së Bandave në Ministrinë e Brendshme, Rexhep Kolli, bashkë me mjekun Ibrahim Dervishi. Plani funksionoi perfekt. Fillimisht, goditja me një predhë pistolete mbi kapotën e Palit, duke vënë përpara dhe një shami të lagur që të mbante blozën e barutit pa depërtuar nëpër rroba. Pastaj tërheqja e lëkurës në ije dhe goditja, po me pistoletë e lëkurës, që duke e lëshuar, plaga tregonte se predha e ka shpuar tej për tej. Ngaqë kjo lloj plage nuk prodhoi sasinë e duhur të gjakut, u përdor gjaku i një pule të therur aty, e cila u mbajt disa çaste poshtë plagës duke gjakosur rrobat e Palit. Pas këtyre veprimeve, në vendngjarje u zbrazën armë duke krijuar batare sikur Pali të ishte ndeshur me forcat e ndjekjes. Po kështu, gjatë kthimit për në Rrëshen, oficerët e Sigurimit hodhën rrugës tufa me pambuk të lyera me gjak, me të cilat të krijohej përshtypja se dikush nga oficerët e ndjekjes ishte plagosur. Pas dy tri orësh, “Furtuna” shkoi në një bazë të bandës në Kthellë. Plaka e shtëpisë e ka mjekuar dhe ka njoftuar pjesëtarët e bandës. Ata kanë ardhur menjëherë, e kanë parë nga afër plagën e tij dhe aty për aty i kanë marrë erë grykës së revolverit, të cilës i vinte era barut. Ka qenë ky momenti që janë bindur dhe përfundimisht e kanë pranuar në radhët e tyre. Tanimë u bë i besuari i tyre dhe i pjesëtarëve të bandave të tjera, si në Kurbin e Ishëm etj. Gjatë aktivitetit në radhët e tyre, Pali zbuloi shumë baza të rekrutuara nga të arratisurit dhe aktivitetin e tyre. Këto informacione i transmetonte në kohë, në pikat sekrete të kontaktit që kishte lënë më herët me eprorët e tij të Sigurimit.
Përleshja e 12 prillit ‘50
Ditët e Pashkëve më 10 e 11 prill, çeta e Kthellës i kaloi në pyllin e Ujë-Lurthit. Ato ditë kishin pasur dhe dy mysafirë nga çeta e Kurbinit, Luk Përzefin dhe Ndue Lalën. Sa ra muzgu ata kërkuan leje për të kaluar në zonën e tyre në Kurbin. Për t’i nxjerrë nga kufiri i Mirditës, u caktua Pali. U përgatitën shpejt e shpejt dhe të tre së bashku u nisën për rrugë. Kur kaluan lumin e Matit dhe u futën në Gallatë të malit të Bardhë, Pali u kthye. Ai mbërriti te shokët në Ujë-Lurth kur kishte zbardhur dita. I lodhur nga rruga e largët, ra të pushonte. Nuk vonoi shumë dhe u dha sinjali se ishin rrethuar nga forcat e ndjekjes. Roja, Preng Brozi, sa konstatoi rrezikun, dha alarmin. Prenga dhe një pjesëtar tjetër i çetës gjetën një shteg të pa zënë dhe me pak vështirësi mundën të çajnë rrethimin e të largohen. Pikërisht, në këtë lëvizje Prenga u plagos dhe pak më vonë u kap. Gjashtë të tjerët zunë pozicionet e tyre. Pas një beteje të ashpër mbetën të vrarë të gjashtë. Mes tyre dhe Pal Melyshi. Të gjashtë kufomat i sollën tek “Mani i Lal Ndreut”, aty ku ndodhet sot muzeu i rrethit dhe janë ekspozuar për gjithë ditën. Vinin aty e i shikonin udhëtarë të ndryshëm, të cilët i shanin me fjalët: kriminelë e tradhtarë. Dëshmitarët e shumtë pohojnë, se më tepër shanin Palin, duke e quajtur të pabesë që kishte koritur Bardhok Bibën. Natën vonë u bë varrimi i kufomave, në përrua të Zemesë. Askush nuk e mori vesh atë natë se kush i groposi, veçse të nesërmen kalimtarëve nuk u kaloi pa vëmendje se diçka kishte lëvizur në vendin e varrimit. Kjo u lakua për disa ditë, por më vonë u fashit bashkë me kërshërinë për ngjarjen. Kush mund të mendonte atë natë se Sigurimi i Shtetit kishte zhvarrosur Palin dhe e kishte varrosur diku tjetër...
Varri i përbashkët
Në muzgun e datës 12 prill 1950 ka shkuar te bregu i përroit të Zmesë, punëtori i komunales së Rrëshenit, Hysniu, i urdhëruar nga lart dhe ka hapur një gropë të madhe. Ka marrë pastaj gjashtë kufomat dhe ka filluar ti hedhë në të, duke e lënë trupin e Palit sipër tyre. Hysniu ka prerë disa dega vrreni e ua ka hedhur sipër kufomave. Dy oficerë të sigurimit kanë shkuar te shtëpia e kushëriut tonë Ndrek Zefi që ndodhet aty afër dhe e kanë sjellë tek aty. Kanë hequr degët e vrrenit dhe pasi kanë zbuluar trupat e të vrarëve e kanë pyetur për trupin e Palit. Kur janë bindur për të, e kanë marrë trupin e “Furtunës” dhe e kanë futur në një makinë ushtarake të mbuluar me mushama. Prej aty e kanë sjellë në Tiranë. Këto veprime janë kryer në mesnatë. Në Tiranë, pasi e kane rregulluar dhe e kanë mbështjellë me flamurin kombëtar e kanë vendos në arkivol dhe e kanë varros me ceremoni të heshtur në varrezat publike te varri i Bamit. Gjatë kësaj periudhe është shkruar se kufoma e Pal Melyshit dhe e pesë të vrarëve të tjerë më 12 prill 50 është lënë te mani i Lal Ndreut për 10 ditë rrjesht deri sa janë dekompozu aq sa nuk njiheshim më, duke u kthyer ne grumbuj mishi. Kjo si dhe mjaft trillime të tjera nuk janë aspak të vërteta.
A është mister vrasja e Pal Melyshit
Ka njerëz që ende thonë se vrasja e Pal Melyshit është mister. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ajo është reale dhe e dokumentuar me prova të pakontestueshme. Ndër të tjera ai u vra për neglizhencë (mospjesmarrje) të oficerëve të sigurimit të Degës së Brendëshme të Mirditës në rrethimin e bandës më 12 prill 1950 në Ujë Lurth. Ata e kishin për detyrë që të shkonin në vendngjarje dhe ta nxirrnin Palin nga rrethimi. Pikërisht për këtë neglizhencë kryetarit të degës i është dhënë vrejtje në biografi nga ministri i Brendshëm Mehmet Shehu. Ka të tjerë që thonë se atë e ka vrarë sigurimi i shtetit. Edhe kjo nuk qëndron. Vet vlerësimet e larta që i ka bërë Kadri Hazbiu dhe krerët e lartë të organeve të sigurimit në vite tregon se ai ka qënë veç një kuadër besnik i këtyre organeve. Në arkivin e Ministrisë së Brendëshme ka një dosje me dhjetra dokument ku vërtetohet aktiviteti i Pal Melyshit si agjenturist i zbulimit. Ka dorëshkrime të tij me informacione sekrete. Ka madje edhe krijime e poezi të shkruara me dorën e tij ku shprehet angazhimi i tij në radhët e sigurimit...

Masakra në hakmarrje të Bardhok Bibës
Në 7 gusht 1949 dora e zezë e gjakatare e Ndue Pjetrit vrau Bardhok Bibën. Kjo vrasje solli ekzekutimin e 14 burrave nga më të mirët e më fisnikët që kishte Mirdita. Ndër ta edhe Llesh Melyshi. Ekzekutimi i tyre ishte një akt tepër barbar dhe çnjerëzor. Ai u bë në Qafën e Valmirit, pikërisht aty ku u vra Bardhok Biba. 14 martirët i lidhën së bashku me tel me gjëmba në buzë të një grope. Aty i qëlluan me breshëri dhe ashtu të plagosur tërhiqnin njëri tjetrin të gjallë në gropën makabre. Kur ranë në fund të saj, të mjerët bërtisnin sa kishin fuqi: Na qëlloni prapë se jemi akoma gjallë! Kjo masakër ka qënë një nga veprat më çnjerzore të regjimit komunist që nuk ka për tu harruar kurrë jo vetëm nga familiarët e viktimave, por as nga njerëzit që kanë qënë të pranishëm në vendngjarje. Aty u vra dhe Llesh Melyshi, për të cilin në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 16.8.1949 thuhet se është dënaur me vdekje për bashkëpunim me kriminelë të arratisur. Interpretimi i këtij vendimi është bërë nga koka e nxehtë e Mehmet Shehut dhe jo nga juristi Bilbil Klosi që ka qënë kryetar i trupit gjykues. Nuk mund të ishte bashkëpunim me kriminelët e arratisur, fakti që pesë muaj para vrasjes së Bardhok Bibës Llesh Melyshi strehoi dhe i dha bukë vëllait të vet që ishte i arratisur. Ndue Melyshi u strehua katër ditë në fund të shkurtit dhe dy ditë në fund të marsit 1949. Vrasja e Bardhokut u bë në Qafë Valmir në 7 gusht 49. Llesh Melyshi nuk mund ta dinte kurrë se më 7 gusht do të vinte në Qafë Valmir Bardhok Biba dhe të njoftonte vëllanë pesë muaj para ngjarjes. (takimi i tyre i fundit ishte në mars të atij viti) Kjo ngjarje ka patur për qëllim mposhtjen e Mirditës, e cila ishte bazë e fortë mbështetëse për të arratisurit jo nga ana politike por thjesht nga ana e traditës dhe zakonit për të mirëpritur ata si dikur partizanët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›