E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, në sulm për Xhihanin



Sulmuesi kavajas, Parid Xhihani, ka marrë një super-ofertë nga drejtuesit e klubit të Skënderbeut. Lajmin e ka konfirmuar vetë lojtari, i cili prej dy sezonesh aktivizohet te Zoria Lugans në Kampionatin ukrainas.
Gjithsesi, pasi është menduar gjatë, në fund Xhihani i ka thënë “jo” ofertës së presidentit Agim Zeqo. Në fakt, drejtuesit e klubit korçar kanë dashur të përfitojnë nga momenti jo i mirë që po kalon aktualisht lojtari, teksa pas ndryshimit të trajnerit te Zoria, është aktivizuar shumë pak. “I falënderoj drejtuesit e Skënderbeut për konsideratën që kanë ndaj meje. Të them të drejtën, u mendova gjatë, pasi një mendje më thoshte të shkoja, ndërsa nga ana tjetër, qejfi ma kishte të vazhdoja në Ukrainë. Dua që të luaj te Zoria edhe të paktën një sezon. Aktualisht e shikoj të vështirë largimin, pavarësisht se hapësirat në skuadër nuk janë si më parë. Trajneri i ri ka preferuar lojtarë të tjerë, në një kohë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë nën presionin e medias, pasi këtu çuditen përse unë nuk luaj si titullar”, - është shprehur nëpërmjet linjës telefonike sulmuesi kavajas. Ai është bërë i njohur në Kampionatin shqiptar me skuadrën e tij të vendlindjes, Besën. Ndërkohë, së fundmi Xhihani është grumbulluar edhe në Kombëtare, duke debutuar pikërisht në miqësoren me Andorrën. Fillimi i tij te ekipi ukrainas ka qenë fantastik, për më tepër që shënoi 10 gola, edhe pse nuk arriti të aktivizohej gjithë sezonin, për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi.
Xhihani nuk e mohon se oferta e Skënderbeut ka qenë një surprizë e vërtetë për të. “Sinqerisht nuk e prisja! Nga bisedat që kisha bërë me shokët, të cilët aktivizohen në klubet shqiptare, dëgjova se kjo skuadër do të fuqizohej me lojtarët më të mirë në vend. Ashtu ndodhi. Një ditë përfaqësuesit e Skënderbeut kontaktuan me mua. Ishte diçka e veçantë, për më tepër në një moment delikat timin te Zoria. Gjithsesi, duke marrë parasysh të gjitha gjërat, vendosa ta refuzoj. Siç e thashë edhe më lart, dua që ta mbyll edhe këtë sezon këtu në Ukrainë. Kam dy vjet që po punoj shumë për të arritur diçka të mirë me skuadrën ku luaj. Në kampionatin ukrainas, vërtetë mund të paguhesh mirë, por nuk është aq e lehtë të kapësh një vend”, - është shprehur më tej 27-vjeçari. Në fund ai theksoi se sezonin tjetër me siguri do të rikthehet të luajë në Kategorinë Superiore. “Nuk e di se si mund të shkojnë gjërat, por besoj se do të kthehem në Shqipëri. Tani nuk mund të flas me siguri nëse do të luaj për Skënderbeun apo një skuadër tjetër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›