TEC Vlora, 3.1 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen
Për 3 mijë orë operim dhe mirëmbajtje Termocentralit të Vlorës do t'i duhet të paguajë më shumë se 3.1 milionë euro që do t'i shkojnë kompanisë që do të fitojë tenderin. Pranë Agjencisë së Prokurimit Publik është bërë edhe njoftimi lidhur me tenderin ku autoriteti kontraktor është Termocentrali Vlorë sh.a. Në muajin shtator pritet që të zhvillohen edhe procedurat përkatëse për përzgjedhjen e kompanisë që do të ofrojë shërbimin e saj. Sipas drejtorit të KESH ëngjëll Zeqaj, kontraktimi i kompanisë do të bëhet në mënyrë që ajo të ofrojë shërbimin e saj për operimin dhe mirëmbajtjen e TEC Vlorës. Me shpalljen fituese të kompanisë, kjo e fundit do të nënshkruajë një kontratë të vlefshme deri në fund të vitit 2012-të për të ofruar shërbimin e saj. Ndërkohë që Termocentrali i Vlorës konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të sektorit energjetik në vend, por që deri më tani ende nuk është vënë në punë për prodhimin e energjisë. Sipas drejtorit të KESH ëngjell Zeqaj ende nuk është vënë në punë termocentrali sepse nuk ka qenë e nevojshme, ndërkohë që kompanisë që do të kontraktohet i lind detyrimi i operimit dhe mirëmbajtjes së termocentralit për 3 mijë orë punë. Ajo që sjell nevojën e "blerjes" së shërbimit të një kompanie të huaj sipas drejtorit të KESH është mungesa e eksperiencës në menaxhimin e këtyre lloj termocentraleve dhe deri në krijimin e kësaj baze do të duhet që shërbimi i specializuar të ofrohet nga kompani private dhe me eksperiencë. "Tenderi i shpallur pranë Agjencisë së Prokurimit Publik lidhet me operimin dhe mirëmbajtjen e termocentralit për një sasi të caktuar orësh. Kjo bëhet pasi ne nuk kemi eksperiencën e mjaftueshme në këtë fushë dhe jemi të detyruar të kërkojmë këtë shërbim nga të tjerë", tha Zeqaj për "Panoramën". Por vetvetiu shërbime të tilla që ofrohen nga "të jashtëm" rrisin koston e Termocentralit të Vlorës. Kështu nëse për ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme energjetike u deshën 100 milionë euro, operimi dhe mirëmbajtja e shtojnë më shumë këtë kosto aq më tepër në një kohë kur ky termocentral nuk është vënë ende në punë. Por kjo pjesë justifikohet me faktin që Termocentrali është një zgjidhje alternative në vend. Si primare për prodhimin e energjisë konsiderohen hidrocentralet ndërkohë që në periudha thatësirash ky TEC zgjidh situatën e vështirë që mund të krijohet. Nga ana tjetër kostoja e prodhimit të energjisë nga ky termocentral ka rezultuar me një kosto shumë të lartë, i cili është lakuar herë pas here nga Enti Rregullator i Energjisë.