Palermo konfirmon blerjen e Mehmetit

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka konfirmuar se Agon Mehmeti do të jetë pjesë e klubit sicilian në të ardhmen. I pyetur për përforcimet që do t’i bëjë ekipi Rosanero, kreu i këtij klubi e ka përmendur edhe sulmuesin kosovar, të cilit i skadon këtë muaj kontrata me Malmon.
Mirëpo, Palermo duket se nuk e ka ndërmend ta marrë lojtarin pa përfunduar ky sezon, edhe pse thuhej se ai mund të zbarkojë në Itali në janar. “Në qershor do të arrijë te ne Agon Mehmeti, një sulmues me pasaportë suedeze, me të cilin kemi nënshkruar”, ka konfirmuar Zamparini për radion italiane ‘Kiss Kiss’.
Mehmeti kishte refuzuar ta vazhdonte kontratën me Malmon në pritje të një sinjali nga Italia. Dhe drita e gjelbër tashmë është ndezur, kështu që futbollisti prishtinas mund ta realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në Itali. Mirëpo, ka mundësi që ai të luajë me Malmon deri në fund të sezonit për t’iu bashkuar më pas ekipit italian.