Palestina në fund të muajit apel në OKB

Kërkesa synon pranimin e Palestinës si një “shtet vëzhgues jo-anëtar” dhe bëhet pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së dhe Izraelit.
Një zyrtar i vjetër palestinez deklaroi se, “treni i OKB-së është nisur nga stacioni” dhe sipas tij nuk do të ketë kthim pas.
Një projekt/rezolutë për t’u anëtarësuar si vend me të drejta të plota në OKB, e bërë në vitin 2011, dështoi pasi nuk siguroi mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Aktualisht, Organizata për Çlirimin e Palestinës, grupi që përfaqëson shumicën e fraksioneve palestineze dhe drejton negociatat me Izraelin, ka vetëm statusin e “vëzhguesit të përhershëm” në OKB.
Mahmud Abbas, president i OLP-së dhe Autoritetit Palestinez, dëshiron që Palestina të pranohet si një shtet vëzhgues jo-anëtar, në bazë të vijave kufitare që ekzistonin përpara se Izraeli të pushtonte Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit 1967.
Sigurimi i këtij statusi, të cilin e gëzon Vatikani, do të shtonte gjasat e Palestinës për t’u anëtarësuar në agjencitë e OKB-së dhe Gjykatën Ndërkombëtare Penale, edhe pse procesi nuk është aspak i garantuar.
Kërkesa do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ku aprovimi do të kërkojë një shumicë të thjeshtë të të pranishmëve.