Palestinezët kërkojnë njohje nga Evropa

Palestinezët kanë kërkuar nga shtetet evropiane që të njohin shtetin e tyre të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gazë, hap ky i ri në fushatën e tyre për të siguruar shtetësinë e tyre jashtë marrëveshjes paqësore me Izraelin.
Negociatat paqësore me Izraelin janë bllokuar që nga shtatori, duke i detyruar palestinezët që të kërkojnë rrugë alternative për të lëvizur përpara.
Fushata e presidentit palestinez Mahmoud Abbas ka për qëllim shtimin e trysnisë ndaj Izraelit, edhe pse ajo me gjasë nuk do të ndryshojë asgjë në terren, për aq kohë sa Izraeli të kundërshtojë këtë fushatë.
Negociatori palestinez, Nabil Shaath, deklaroi se ka kërkuar nga Franca, Britania, Suedia dhe Danimarka që të njohin kufijtë ekzistues para vitit 1967 si kufij shtetëror mes Izraelit dhe shtetit palestinez.
Negociatori tjetër palestinez, Saeb Erekat, i ka dërguar gjatë javës një kërkesë të ngjashme shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton.