“Palët të angazhohen për reformën zgjedhore dhe imunitetin”
Ministri i Jashtëm Panariti takon ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë
Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti zhvilloi dje një takim kortezie me ambasadoren gjermane në Tiranë Karola Myler-Holtkemper. Ministri Panariti informoi Holtkemper për ecurinë e reformave kyçe në kuadër të 12 prioriteteve të Komisionit Evropian. Duke u ndalur në reformën zgjedhore dhe reformën e procedurave parlamentare, Ministri evidentoi se tashmë palët janë ulur, po dialogojnë dhe kjo është një shenjë pozitive dhe shprese që brenda afateve të gjendet kompromisi për çështjet e mbetura pezull. Ministri Panariti gjithashtu theksoi se mazhoranca është plotësisht e angazhuar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Panariti duke vlerësuar Gjermaninë si një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Berlinit për avancimin e Shqipërisë në procesin e saj të integrimit, duke synuar marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat në BE. Ambasadorja gjermane uroi zotin Panariti për detyrën e re, dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe aktivitetit diplomatik mes dy vendeve. Me këtë rast, Holtkemper informoi se Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westervelle po përgatit një vizitë në Shqipëri, që do të realizohet në një të ardhme të afërt. Gjithashtu dje, ministri Panariti takoi edhe ambasadorin italian në Tiranë Massimo Gaiani. Kryediplomati shqiptar theksoi se në kuadër të kësaj trashëgimie të shkëlqyer të marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve, Shqipëria sheh tek Italia mike një mbështetëse të fuqishme në procesin e integrimit të saj evropian. Kjo do jetë dhe tema kryesore e bisedimeve që Panariti do të zhvillojë me homologun e tij italian, Terzi gjatë vizitës që do të zhvillojë në Itali më 9 korrik me ftesë të ministrit të Jashtëm italian. Vizita në Itali do të jetë dhe vizita e parë e Ministrit Panariti që nga marrja e detyrës.
...