E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Opozita është në mbrojtje të krimeve të komunizmit

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi sot në Kuvend, se "debati për ligjin e lustracionit dëshmon se ka ende segmente të opozitës që kërkojnë të mbrojnë krimet e komunizmit".

Gjatë debatit të lirë në seancë plenare, zoti Paloka solli në vëmendje 20 shkurtin e vitit 1991, datë kur shqiptarët më në fund arritën të rrëzojnë simbolet e diktaturës. Fatkeqësisht pas 18 vjetësh, tha deputeti demokrat "diskutohet ende në parlament dhe në shoqërinë shqiptare, nëse duhet të dënohen apo jo krimet e komunizmit. Ka një opozitë dhe disa parti politike të majta, që megjitëse flasin për politikë të re, fatkeqësisht vazhdojnë të ruajnë llogoret e partisë së tyre të vjetër. Diskutimi i ligjit të lustracionit e tregon qartë këtë", u shpreh zoti Paloka. Sipas tij, "edhe pas 18 vjetësh, kur i gjithë populli shqiptar u ngrit për të rrëzuar atë regjim, ka ende njerëz që kërkojnë të mbrojnë krimet e komunizmit".

Lidhur me kundërshtimet e opozitës ndaj ligjit të lustracionit, deputeti Paloka theksoi se "është shumë e qartë se nuk bëhet fjalë për antikushtetueshmëri të këtij ligji. Të gjithë e dimë se kemi të bëjmë me ndarje të qartë politike apo morale, nëse do të dënohen apo jo ata që kanë kryer krime. Ne do ta sjellim atë ligj prapë në Kuvend, do të sjellim edhe ndryshimet, por e dimë se atë nuk mund ta votojë djali i Komitetit Qendror dhe nipi i byrosë politike dhe as të afërmit e anëtarëve të Komitetit Qendror", tha zoti Paloka.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›