E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Rama nuk është gati të zbatojë rezolutën e KiE

TIRANE- Pak ditë para uljes në tryezën e presidentit Topi për zgjidhjen e krizës, Partia Demokratike akuzon kreun e PS, Edi Rama se po synon përmbysjen e qeverisë. Në një konferencë për shtyp, deputeti i qarkut të Lezhës Edi Paloka akuzoi kryesocialistin për vullnet të munguar për të zbatuar , sic tha ai, rezolutën e Këshillit të Europës dhe se gjithë synimi i tij është marrja e pushtetit në tavolinë. “Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për futjen e opozitës në parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek cunat e rinj të Bllokut” theksoi Paloka. Sipas demokratëve , Rama duhet të harrojë se nëpërmjet kërcënimeve për protesta dhe dhunë mund të impresionojë njeri. Në fakt toni i ngritur i demokratëve vjen një ditë pasi kreu i shtetit deklaroi se po përgatiste tryezën nga ku pritet që nëpërmjet dialogut të arrihet marrëveshja që do ti fuste deputetët e Partisë Socialiste në parlament. Deklaratat e një dite më parë të liderëve politikë, Berisha dhe Rama lanë të kuptohej se palët të paktën para uljes në tryezë nuk do të sulmonin njëra tjetrën. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›