E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Të zhgënjyer nga Prokuroria e Përgjithshme

Maxhoranca vijon me akuzat në drejtim të Ina Ramës, duke hedhur dyshime mbi zgjedhjen e bërë nga presidenti Topi. Deputeti i PD Edi Paloka thotë se maxhoranca tani thotë me plot gojën se ka mbetur e zhgënjyer nga Prokurorja e Përgjithshme. 

TIRANE- Në vijim të përplasjeve të fundit me Prokuroren e Përgjithshme, deputetët të Partisë Demokratike hedhim dyshime, mbi zgjedhjen e bërë nga presidenti Topi në emërimin e Ina Ramës në krye të organit të akuzës, pikërisht një vit më parë.
Në një intervistë për televizionin “NEWS24”, deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka thotë se tani Partia Demokratike, e thotë me plot gojën se ka mbetur e zhgënjyer nga Ina Rama, e cila sipas Palokës erdhi në krye të Prokurorisë pa dhënë prova nëse ishte njeriu i duhur.
Në fjalën e tij Paloka u shpreh se “nuk mund të them i penduar në atë kohë që kemi dhënë votën për kandidaturën, pasi ne në atë kohë kemi qenë entuziastë se më në fund Prokuroria shqiptare do të kishte një njeri të pavarur politikisht. Ndjehem i zhgënjyer për gjërat që po ndodhin, unë nuk e di se si e ka bërë zgjedhjen presidenti, por njerëzit duhet të provohen përpara se tu jepen poste të rëndësishme”.
“Unë nuk dua ti hyjë fare se kush është ai që e influencon politikisht mbi Prokurorinë, por përmenda opozitën pasi sulmet politike kanë qenë të opozitës”, shtoi më tej Paloka.

Duke e lidhur me hetimin më të fundit dhe akuzën me abuzimin me fondet e rrugën Durrës-Kukës ndaj Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, Paloka thotë se Ina Rama po influencohet shumë nga opozita. Mënyra më e mirë për të provuar të kundërtën sipas Palokës do të ishte hetimi nga ana e Prokurorisë edhe mbi dosjet e abuzimit për ish pushtetarë të Partisë Socialiste. Kryeministri Berisha doli hapur në mbrojte të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha këtë të hënë duke thyer kështu heshtjen mbi hetimin e nisur pak muaj më parë mbi fondet e përdorura për ndërtimin e rrugës Durrës Kukës. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›