Fishekët kinezë, Diveroli fajtor
SHBA/Majami
Efraim Diveroli tregtari 24-vjeçar i armëve, i cili mashtroi Pentagonin me shitjen e 10.3 milionë USD municione kineze të blera në Shqipëri, pranoi fajësinë pak ditë më parë në një Gjykatë në Majami në SHBA. Pranimi i fajësisë sipas mund t'i sjellë atij një dënim që shkon deri në 5 vjet burg, i cili do të jepet në muajin nëntor, pasi pritet që i riu të deklarohet fajtor për mashtrimin e qeverisë amerikane, duke i shitur municione të ndaluara kineze për të furnizuar forcat aleate në Afganistan. Sipas mediave amerikane, 24-vjeçari Efraim Diveroli, të premten pranoi fajësinë me anë të një marrëveshje, duke pohuar se ai ka komplotuar me punonjës të tjerë të kompanisë së tij, AEY Inc., për të shitur 10.3 milionë USD municioneve të ndaluara kineze, duke u përpjekur t'i fshihte si të prodhuara në Shqipëri. Pranimi i akuzës më të rëndë ndaj tij, në këmbim të marrëveshjes së bërë nga zyra e avokatit të tij në Majami, SHBA Diverolit iu hoqën 84 akuza të tjera që kishin të bënin me prokurimin e tenderit, si dhe një akuzë që dënohej me gjobë. Sipas mediave amerikane, të cilat i referohen burimeve nga procesi marrëveshja e Diverolit me Pentagonin ishte vetëm një pjesë të biznesit të tij. Kompania e tij AEY, ishte kontraktuar për të shitur rreth 300 milionë dollarë armë dhe municione ushtrisë së SHBA, një vit para se ai dhe tre persona të tjerë të akuzoheshin për konspiracion e vepra penale, që kanë të bëjnë me prokurimet. Në mars të vitit të kaluar Kongresi mbajti një seancë dëgjimore mbi faktin, pse qeveria amerikane ishte duke bërë një biznes të tillë të rëndësishëm me një djalë të ri. Dy punonjësit e tjerë, Alexander Podrizki dhe David Packouz, njëlloj si Diveroli u vetëshpallën fajtorë në muajin maj, ndërsa një i tretë, investitori, Ralph Merrill, ende po përballet me gjyqin. Sipas mediave amerikane, Kongresi i SHBA ka vendosur embargo ndaj armëve dhe municioneve kineze që nga viti 1989, në përgjigje të masakrës së disidentëve në sheshin "Tenianmen". Edhe pse marrëdhëniet tregtare midis SHBA dhe Kinës tashmë janë normalizuar kjo embargo ka mbetur ende në fuqi. Nga ana tjetër avokatët mbrojtësi i kërkuan Diverolit të hidhte poshtë padinë, duke thënë se ai nuk e shkel embargon e SHBA për shkak se shqiptarët i kanë fituar municionet kineze gjatë Luftës së Ftohtë, rreth 15 deri 27 vjet para se embargo të hynte në fuqi. Për më tepër sipas mbrojtësve Howard Srebnick dhe Hy Shapiro, Diveroli nuk i ka blerë municionet nga Shqipëria deri në fund të 2007. Por gjyqtari i Joan Lenard nuk u pajtua, duke mohuar kërkesën e dy avokatëve për të shkarkuar akuzën e rëndë ndaj Diverolit. Prokurorët kanë rënë në ujdi duke argumentuar se një rregullore e Departamentit të Mbrojtjes në kontratën AEY-së u ndalon furnizuesve të marrin municione të fituar direkt ose indirekt nga kompani ushtarake komuniste kineze. Sipas tyre ndalohej çdo lloj forme e blerjes së municioneve nga Qeveria komuniste e Kinës, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, pasi më parë i kishte blerë shteti shqiptar. f.m.