Pamuk: Të mos përqafojmë qorrazi modernitetin
alma mile
“Ne kemi përgjegjësi për historinë. Të mos përqafojmë qorrazi modernitetin, por të ruajmë identitetin tonë”. Kështu u shpreh dje, shkrimtari nobelist Orhan Pamuk, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri. Prej vitit 2006, kur meritoi çmimin “Nobel” për letërsinë, Pamuk i është prezantuar lexuesit shqiptar me disa nga veprat e tij më përfaqësuese, duke filluar me romanin “Unë jam e kuqja”. I ftuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books” dhe kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli, që ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të tij në shqip, Pamuk, nuk mund ta shtynte më tej vizitën në Shqipëri dhe takimin me lexuesin shqiptar. Sapo zbriti në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, nobelisti, u shpreh për mediat, se i vinte keq që ishte 58 vjeç dhe po e vizitonte vetëm tani Shqipërinë e bukur. “Nuk e kam vizituar akoma, por kam dëgjuar shumë për të dhe e di që është e bukur”, u shpreh shkrimtari. “Botuesja ime më ka thënë se ka shumë shqiptarë që lexojnë veprat e mia dhe jam vërtetë i kënaqur dhe i nderuar”. Dje në mesditë, Pamuk zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe vlerësoi veprën e shkrimtarit për “këndvështrimin origjinal, nivelin e lartë artistik dhe guximin individual për të qenë influent në politikë dhe intelektualist”. Ndërsa në orën 12:00, Pamuk mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Doktor Honoris Causa”, dorëzuar nga Universiteti i Tiranës. Shkrimtari shprehu kënaqësinë për këtë titull që merrte në Tiranë. Ai tregoi se për vite të tëra kishte qëndruar i mbyllur në studion e tij, duke shkruar romane dhe vetëm 5 vitet e fundit i shfrytëzoi për të t’u përfshirë në jetën akademike. Sapo erdhi në Shqipëri, shkrimtari u ndje shumë afër me shqiptarët, kjo për shkak të një historie të përbashkët. Sipas tij, Shqipëria dhe Turqia ndodhen “në periferi të qendrës” dhe kjo është edhe arsyeja pse kanë edhe probleme ende sot. Ai nguli këmbë në ruajtjen e identitetit, ndonëse dëshira e dy vendeve sot është të bëhen pjesë e familjes evropiane. “Ne jemi përgjegjës për historinë. Duhet të shohim nga e ardhmja, por duke respektuar të kaluarën tonë. Të mos përqafojmë qorrazi modernitetin, por të ruajmë identitetin”, u shpreh Pamuk, pas marrjes së titullit. Në orën 13:00 ishte parashikuar që nobelisti të zhvillonte një takim me studentët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, por pas një pritjeje për më shumë se 1 orë, Dekani i Fakultetit, Shezai Rrokaj, njoftoi anulimin e takimit, pasi shkrimtari nuk ndihej mirë fizikisht dhe kishte nevojë për pak ç’lodhje. Në të vërtetë ceremonia e dhënies së titullit, parashikuar vetëm gjysmë ore, zgjati më shumë nga ç’ishte parashikuar, çka solli edhe këtë ndryshim në kalendarin e shkrimtarit.
Prezantimi i librit
Në orën 19:00 në sallën e Kryesisë së Kuvendit, në një ceremoni, ku merrnin pjesë njerëz të letrave dhe të medias, shkrimtari Orhan Pamuk prezantoi romanin e tij të fundit në shqip, “Stambolli”. Kur mori fjalën, shkrimtari nuk harroi të thoshte se kjo ishte hera e parë, që një libër i tij prezantohej në ambientet e një Parlamenti. “Letërsia është shumë e rëndësishme edhe kur flet për politikën, por edhe kur e lë atë jashtë”, tha ai, duke falënderuar Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, për këtë nder. “Stambolli” është një libër autobiografik, ku autori rrëfen për fëmijërinë dhe rininë e tij në Stamboll. Një kapitull i veçantë për dashurinë e tij të hershme me një vajzë shqiptare, ishte një arsye më tepër, që autori të ishte i pranishëm gjatë prezantimit të këtij libri në gjuhën shqipe. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, shkrimtari Zija çela, poeti Arjan Leka, shkrimtari Agron Tufa, ndanë me të pranishmit e shumtë impresionet e përftuara nga kjo vizitë e nobelistit, si dhe prej leximit të librit të tij më të ri, “Stambolli”. Sipas Tufës, ai është një libër që ndihet me të gjitha shqisat, me të parët, me të dëgjuarët, të prekurit, të nuhaturit, të shijuarit. Një libër që na bën të njohim Stambollin e dikurshëm, atë të rinisë së shkrimtarit. Pas të gjithë kumtuesve, shkrimtari Orhan Pamuk foli dy fjalë për romanin e tij “Stambolli”. Sipas tij, historitë e vendeve tona i bashkon jo thjesht e kaluara tashmë e njohur, por edhe një fakt, ai që në dy vendet tona, për një kohë të gjatë nuk ndodhte asgjë. “Këtu nuk ndodh asgjë. Kjo ishte ndjesia që më shoqëroi deri në moshën 30-40-vjeçare dhe në të gjithë librat e mi kam shprehur revoltën time, se përse Turqia ishte ajo që ishte dhe përse nuk ndodhte asgjë në vendin tim”, tha shkrimtari. Ai foli për ndjesinë e të qënurit larg qendrës, e cila të bën të mbyllesh në vetvete dhe të kërkosh më shumë prej saj. “”Stambolli” është autobiografia ime deri në moshën 23-vjeçare dhe jam përpjekur të tregoj se sa ndikon qyteti në jetët tona. Që nga moshën 7-22 vjeçare, unë ëndërroja të bëhesha piktor. E kam thënë shpesh, ngaqë nuk isha një piktor i suksesshëm, u bëra shkrimtar. Dhe romani “Unë jam e kuqja” është tërësisht një libër personal, pasi unë shpreh gjithë dashurinë time për pikturën. Ndërsa në librin e ri jam munduar të tregoj ndër të tjera dhe rrëmujën që ndodhte në kokën e një të riu, që jeton në një vend mysliman, ku kultura nuk është shumë e zhvilluar”, vijoi shkrimtari, duke shtuar se “Stambolli” është një libër mbi jetën e tij, por që duke rrëfyer për veten, ai rrëfeu edhe qytetin, i cili në këtë libër paraqitet shumë i pikëlluar, ndërsa sot ka marrë shumë ngjyra. Ndërsa sot parashikohet që shkrimtari të vizitojë qytetin e Beratit, ku gjithashtu do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Nesër në orën 09:00 Pamuk do të lërë Shqipërinë.