Svoboda: Dayton për serbët e veriut të Kosovës
Nënkryetari i Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda, ka deklaruar se çështja e Kosovës do të mund të zgjidhej nëse serbëve në veri të Kosovës do t’u jepej status i njëjtë me atë që kanë fituar serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës me Marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995. Në komentet e tij për mediat, Svoboda thotë se sipas kësaj marrëveshjeje, serbët e Bosnjës kanë statusin e Republikës, por nuk kanë të drejtë për shkëputje në bazë të Kushtetutës. Svoboda ka thënë se, në asnjë rast zgjidhja e krizës së Kosovës nuk duhet të vinte në pikëpyetje Pavarësinë e Kosovës. “Beogradit, Prishtinës dhe Evropës u duhet një zgjidhje që nuk do të vinte në pikëpyetje Pavarësinë e Kosovës, ndërsa do t’u jepte serbëve të Kosovës vetëqeverisje të gjerë”, tha ai. Ndërkohë dje Kosova ishte nën diskutimin e këshillit të sigurimit, ku u bë raportimi 3 mujor i misioneve ndërkombëtare në vend. Kosova u përfaqësua nga Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërsa Serbia nga homologu i tij, Vuk Jeremiç.