Panairi, firon libri që u ndryshon grave jetën
“Vetëpohimi i gruas”, një libër që të ndryshon jetën, i shkruar nga Pamela. E. Butler, ka qenë dje një nga librat më të shitur
Në këtë libër të autores Pamela. E. Butler, i cili titullohet -“Vetëpohimi i gruas”, nuk bëhej fjalë për aventura dashurie, as për ndonjë histori të padëgjuar. Megjithatë, botuesen e Skanderbegs Books, Flutura Açkën e ka lënë të habitur. As nobeslisti Orhan Pamuk, nuk është shitur aq shumë dje në ditën e parë të panairit sa ky libër. Me sa duket, nevoja për kulturë komunikimi dhe veprimi qenka më e madhe ose, jo të gjithë, veçanërisht gratë paskan nevojë për t’u ndriçuar nga ndonjë ide fatlume dhe këto ide qenkan në këtë libër, i cili me një rrëfim të butë ofron këshilla praktike me dialogje realë dhe ushtrime hap pas hapi që tregojnë se si gratë munden, munden që .., ç’rëndësi ka se çfarë, por atyre u intereson strategjia e sfidave. Thuhet për këtë libër se strategjitë e Butler-it mund të zbatohen nga gjitha gratë, në çdo situatë që kërkon një veprim të drejtëpërdrejtë dhe pozitiv, a thua që gratë të mos kenë kërkuar gjë tjetër veç këtë libër. Si ka mundësi që ky libër është përpirë nga gratë e të gjitha botës, dhe ja dje firon edhe nga vitrinat e stendës së botimeve Skandebegs Books. “Vetëpohimi i gruas” është përkthyer nga Kostandina Murzaku dhe Brunilda Nebo. Shtitja e këtij libri nuk të ofron temën e procesit krijues sa atë të misterit se çfarë problemesh sociale dalin në dritë nga dëshira e grave për ta pasur lider një libër të tillë. Një libër i mrekullueshëm që tingëllon si një roman shkruan Journal Of Clinical Child Psychology. Një udhëheqje e mençur jo nervozuese shkruan San Francisco Chronicle.
Në lirinë e vetvetes gruaja duhet të dijë si ta kërkojë lirinë e vërtetë
Shoqëria njerëzore nxjerr ligje për mbrojtjen e të drejtave të gruas. Dhe kjo është mëse e natyrshme që ligji dhe shoqëria ta mbrojnë atë. Por është e rëndësishme: A dinë vetë gratë ta mbrojnë veten, të drejtat e tyre? A dinë ato të ndërtojnë një mënyrë sjellje të tillë, që të mbrojnë personalitetin e tyre dhe të imponojnë respekt për të tjerët?
Femra të paktën deri në kohët e sotme është mjaft e ngarkuar, qoftë në familje e deri në lidhjet e jashtme të saj me njerëzit. Nga hulumtimet dhe testimet e shumta që bëhen në botë për gruan, ka lindur nevoja që ajo të shmanget nga roli i saj i zakonshëm të vendosur nga koha. Për të arritur këtë objektiv, rëndësi ka vetë femra. Në lirinë e vetvetes ajo duhet të dijë si ta kërkojë lirinë e vërtetë. Duke njohur mirë elementet e sjelljes, femra mund të kapërcejë ndalimet shoqërore dhe vetjake për t’u paraqitur në shoqëri si një individ i plotë. Gruaja dhe burri duhet të jenë njësoj të lirë të shprehin të gjitha ndjenjat dhe emocionet e tyre për të kapërcyer disa rregulla të ngurta që kanë lidhje me rolin e seksit. Në rradhë të parë, gruaja duhet të dijë si të pohojë saktë dhe drejtë veten, por edhe të tjerët. Të thotë “ Po” kur duhet të thotë “Po”. Të thotë “Jo” kur duhet të thotë “ Jo”, të vendosë kufij në situata të ndryshme dhe të marrë nisma. Pra “ Mëso të jetosh” nëpërmjet vetëpohimit. Ky është funksioni i shprehjes së mendimit të drejtëpërdrejt që rregullon jetën njerëzore. Libri sa është një studim shkencor është edhe një udhëzues praktik që ka ndihmuar miliona gra dhe vajza në të gjithë botën për të ndryshuar jetën e tyre.
Kjo përvojë e shkëlqyer nuk del për herë të parë sot dhe as nuk ka dalë si rezultat i ndonjë revolucioni të bujshëm shoqëror. Nisur nga kërkimet shkencore sistematike, vetëpohimi pasqyron parimet e sjelljes, të cilat kanë të bëjnë me nevojat e njeriut, veçanërisht me ato nevoja që kërkojnë për t’u shprehur plotësisht dhe hapur pa pasur frikë të bëhesh objekt “ jo i pëlqyeshëm” ose “fajtor” për veprimet e tua. Librat për vetëpohimin nuk janë të parrahur, sepse raportet me profesionalizëm dhe botime të tjera rreth këtij subjekti i gjen sot në gjithë botën. Mirëpo sipas Dr. Alan Salamy, psikolog i njohur, libri i Dr. Pamela E. Butler prek një nga elementet më kritikë të veprës, deklarimin e ndjenjave si të çmuara dhe të ligjshme, pavarsisht se ç’mund të mendojnë të tjerët. Ai jep një ndihmesë të rrallë në fushën e vetëpohimit për femrat.
Megjithëse Dr. Butler u drejtohet grave, ky shërben si një mesazh edhe për burrat. Efektiviteti i stilit të Dr. Butlerit dhe i besimit që ajo përcjell tek të tjerët qëndrojnë në
përvojën e saj. Ajo e ka jetuar metamorfozën ( ndryshime thelbësore të natyrshme) nga
femrat e zakonshme ose tipike, deri tek femra me tipare të plota njerëzore që lufton të arrijë barazinë gjinore. Libri u pergatit per botim nga shkrimtarja Violeta Allmuca.
Shkalla e pasurimit të përvojës së saj në këtë libër shihet më së miri në arritjet e bëra nga ato gra e vajza që kanë fituar mënyrat e reja të vetëpohimit. Metodat e Butlerit, krijojnë hapësirë për më shumë komunikim të drejtëpërdrejtë midis burrit dhe gruas duke e larguar prej të dyve “ barrën e varësisë”.
Analiza e problemit të gruas për të qenë plotësisht njerëzore, shkruar nga Dr. Butler, e bën të qartë se ky proces me kaq interes nuk ka për qëllim ta ç’bëjë femrën, por ta afirmojë atë në shoqëri. Libri tregon me shembuj bindës se sjellja dhe anët pozitive të gruas nuk janë reciprokisht të pandashme. “Vetëpohimi i gruas” është mesazhi më i njohur për një imazh të ri në botën e civilizimit të gruas bashkëkohore.
Alberto Bevilacqua, “udhëtimi” nëpër të fshehtat e grave
Edicioni i 11-të i Panairit të Librit në Tiranë dje ka promovuar edhe një roman të Alberto Bevilacqua-s që ka shkaktuar adhurim dhe entuziazëm. Aventura e mahnitshme dhe turbulluese e një “udhëtimi” nëpër të “Fshehtat e grave”, për të zbuluar botën magjike femërore. Një histori poetike dhe të ndërlikuar, ironike dhe erotike, e rrëfyer në veten e parë, depërton femrat e njohura dhe të panjohura, që vetë autori ka njohur, takuar e dashuruar. Linjat esenciale të Alberto Bevilacqua-s, nga të cilat lindin veprat e tij, si narrative edhe poetike, janë të shumta. E para dhe më e rëndësishmja sigurisht koincidon me qytetin e tij të lindjes, Parmën, ku shkrimtari ka jetuar deri në adoleshencën e parë. Më pas ai shkon të jetojë në lumin Po, shumë e vogël distanca nga Parma, shumë të mëdha ndryshimet e mjedisit. Në moshën 20-vjeçare Bevilacqua transferohet në Romë, në atë që ai ende e quan “mërgimin tim të vogël”. Një periudhë e vështirë, përsëri e mbuluar me dhunë. Tepër i ri, shkrimtari shkruan në një të përjavshme, dhe është pikërisht kjo e përjavshme, e cila boton poezitë e tij të para, me një shënim të Attilio Beroluci-t. Dalin poezitë e tjera, të cilat futen në një antologji me narratorë debutues, me titull “A ndodhet, vallë, midis këtyre, mjeshtri i së nesërmes?”. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare ai është redaktor i faqes së parë letrare të një të përditshmeje italiane. Në vitin 1961, botohet përmbledhja e parë poetike e Bevilacqua-s “Miqësi e humbur”. Dhe ky pasohet nga shumë vëllime poetike e romane të ndryshme. Në shumë raste ai është krahasuar me shumë autorë amerikano-jugorë si Garcia Marquez, Onetti e Vargas Lioza. Bevilacqua është një nga shkrimtarët më të përkthyer në botë. Me dritëhijet e të shkruarit, ai di të na ofrojë në mënyrë natyrale e spontane, një krijim të vazhdueshëm, një përtëritje moderne të artit të të shkruarit. “Mund të ngjasë që njeriut t’i vijnë disa kumte apo zbulesa të asaj që pritet të ndodhë, fill nga thellësia e errët e gjithësisë.”
Me këto fjalë nis ky roman mbi të fshehtën që ngacmon sot zemrën dhe fantazinë e njeriut bashkëkohor. Tema e magjisë e ka përshkuar gati të gjithë veprën e Bevilacqua-s, duke i joshur lexuesit e tij në shumë vende të botës. Por, këtu, tema ngjiz një ngjarje që të bën për vete si me magjinë dhe suspansin që ruhen nga fillimi në fund, por edhe me fillin e qartë të së vërtetës: ndodhia është përjetuar realisht nga autori, i lidhur vetë fort me përmasën magjike që në fëmijëri. Pra, lexuesi, nga njëra anë, kënaq nevojën e yshtjes nga magjia e mrekullia dhe, nga ana tjetër, fiton njohuri të çmuara. Një roman mbi të drejtën për të qenë i lumtur. “E fshehta e grave: “...Të tregosh për gratë është një art i vështirë. Gra me mijëra përvoja, por që bien lehtësisht në duart e burrave, ndërmjetës mashtrimesh, që mbyllin një sy edhe përpara ndërgjegjes...”