E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha jep leksion për krizën: Na duhet një Martin Luther

Nga Tema

Në një moment kur Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë sinjale të forta se rritja ekonomike në vendin tonë do të ngadalësohet vitin që vjen për shkak dhe të krizës globale, kryeministri ka preferuar që të flasë për mënyrën se si duhet zgjidhur kjo krizë. Jo në Shqipëri, por në botë. Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka folur se si duhet të reagojë Shqipëria, e cila ka specifikat e saj ndaj kësaj krize të fortë, por Berisha duket se e ka një recete botore dhe e ka shpërndarë përmes valëve të CNN.

Duke iu përgjigjur interesimit të kanalit prestigjioz lidhur me mënyrën e zgjidhjes së krizës financiare dhe se nga duhet të vijë ajo, kryeministri Berisha, që ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Simpoziumin e Lidershipit dhe Biznesit Ndërkombëtar, tha: “Është i rëndësishëm fakti që sektori privat duhet të ketë më shumë transparencë dhe nevojë për rregulla të reja. Gjithashtu, do të ishte absolutisht shumë pozitive që kjo zgjidhje të vijë nga vetë sektori privat i sistemit financiar.”

E ndërsa duke folur në panelin e këtij aktiviteti, Berisha tha se tashmë botës i duhet një Martin Luther. “Kryeministri Berisha vuri në dukje se sistemi financiar botëror ka nevojë për një Martin Luther të ri, si domosdoshmëri për të përkufizuar rregulla të reja të kontrollit dhe të transparencës në sektorin privat, veçanërisht në atë financiar. Duke theksuar se lufta dhe veprat për parandalimin e korrupsionit duhet të zhvillohen jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat, kryeministri Berisha u shpreh se influenca dhe roli i këtij sektori është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi”, - thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›