Flamuri, në kërkim të ullinjve
Antena brenda familjes
Një detyrë e re që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, ka rënë sërish mbi supet e Flamurit. Në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri ka thënë se “kultura e ullirit është një nga trashëgimitë më të çmuara që gjeneratat e shkuara na kanë lënë, me rreth 5 milionë rrënjë ullinj. Kudo që udhëton në Shqipëri, zonat me ullinj janë shumë të shtrira dhe të gjëra, nga Ksamili deri në Shkodër, me varietete nga më të mrekullueshmet dhe cilësinë më të lartë të vajit. Kjo kërkon që ne të marrim një vendim që nga 5 milionë të shkojë në 25 milionë rrënjë ullinj.”
Për nxitjen e kësaj iniciative, kryeministri Berisha tha se qeveria do të hartojë së shpejti një program për krijimin e të gjitha mundësive për mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj, si dhe do të vendosë një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha vendet që mund të ndihmojnë në realizimin e tij.
Po të ishte me kaq, Flamuri do ishte i qetë. Por ai burri e mori në telefon dhe i tha:
- Flamur, shikojeni pak këtë punën e ullinjve, se duhet të mbjellim 20 milionë rrënjë.
- Shumë janë, doktor, - i tha. - Për 5 shekuj kemi 5 milionë, tani për një vit të bëjmë 20 milionë, është shumë.
- Flamur, ne vetëm do ta nisim, brezat e tjerë do ta përfundojnë. Ne duhet të mbjellim nga një milion çdo vit të mandatit tonë.
- Po si shumë janë doktor, se i bie që të mbjellë një familje çdo vit nga dy rrënjë ullinj, ndërkohë që shumica jetojnë në apartamente.
- Flamur, mua më ka thënë Damiri që kjo punë funksionon. Ka gjetur ai një treg të lirë me rrënjë ullinjsh dhe ne mund t’ia blejmë të gjitha. Me 10 euro copa mund t’ia blejmë, i thonë dhjetë milionë euro në vit, asgjë.
- Po mirë doktor, po lidhem me Fazlliçin, dhe po e bisedojmë.
- Jo, s’ke nevojë të lidhesh me të, se nuk dihet kush i bie ullinjtë, ai vetëm më tregoi sa mirë do jetë ta bëjmë këtë punë. Iniciativën duhet t’ua lëmë privatëve, Flamur. Lidhu me Jeminin, se ai duhet të bëjë një plan për këtë.
I mërzitur që mbeti sërish në dorë të Jeminit, Flamuri i ra telefonit të tij.
- Dua të di ç’do bëjmë me këta ullinjtë që keni premtuar në mbledhje qeverie, se ai burri ma ngarkoi mua, - tha Flamuri.
Jemini, i cili ishte në humor, i sajoi një rreng.
- Do të them diçka, po mos ia thuaj njeriut, - i tha.
- Ata nuk janë fidanë ulliri, po janë përgjues që do mbillen në gjithë vendin për të mësuar se ç’mendojnë njerëzit për qeverinë. Pas një viti ata thahen dhe nuk i duhen njeriu. Shërbejnë vetëm si përgjues këtë vit, se është vit elektoral dhe duhet të mbillen në çdo oborr shtëpie.
- Aha, e kuptova, - tha Flamuri. - Thashë dhe unë, pse i do ai burri për fushatë. Po të ishte për fushatë me ullinj, në këto zgjedhje do fitonte Skënderbeu, se këta ullinj që janë, në kohën e tij janë mbjellë. Kështu që me ullinjtë tanë kushedi kush do bëjë fushatë pas 500 vjetësh.
- Jo pra, i duhen për përgjues, - i tha Jemini, duke vazhduar të tallet me Flamurin, - se nuk ka më besim te sondazhet dhe do të vendosë përgjues në çdo oborr shtëpie.
- Le, se e kuptova, - tha Flamuri. - Tani di unë se ç’bëj.
Të nesërmen Flamuri u pa me një tufë ullinjsh që ua falte njerëzve të PD te selia dhe i udhëzonte t’i mbillnin në oborr.
- Kur t’i mbillni, - tha, - me qëllim që ata të zënë, do dilni çdo mëngjes në oborr dhe do t’u pëshpëritni ullinjve “Shqipëria po ndryshon”.
- Po pse ta bëjmë këtë? - e pyesnin ata që merrnin ullinj.
- Ju lutem, duhet ta bëni patjetër, se ashtu është puna, se këta nuk është se janë vetëm ullinj, na duhen dhe për punë tjetër. S’keni asnjë detyrim ndaj shtetit, vetëm mbillni dhe thoni “Shqipëria po ndryshon”. Kështu është i kënaqur dhe ai burri që ua ka falë, dhe unë jam në rregull, se do them që ky aksion ka ndihmuar qeverinë.