Vëllai i Tur Dajës: Frika nga Alfred Shkurti na detyroi që të largohemi nga Shqipëria
Lorenc Daja, vëllai i Artur Dajës, në një dëshmi të dhënë prokurorisë, ka treguar se si Alfred Shkurti, i njohur ndryshme me emrin Aldo Bare, ka tentuar të vrasë vëllain e tij në korrik të ‘97, gjë që e ka arritur disa muaj më vonë. Gjatë dëshmisë së tij, Lorenci pohon se, që prej kohës së vrasjes së të vëllait, nga frika e Aldo Bares dhe grupit të tij u largua bashkë me familjen dhe vëllezërit e vet jashtë shtetit. Në dëshminë e tij të dhënë në ambasadën tonë në Greqi, e cila është lexuar dje në gjykatë nga organi i akuzës, Lorenc Daja ka deklaruar se Alfred Shkurtin ose Fredin siç e thërriste ai, e ka pasur shok, kur punonin së bashku në fabrikën e tullave në Lushnjë. Në dëshminë e tij, të cilën po e paraqesim më poshtë, vëllai i Tur Dajës rrëfen skenën e tmerrit që pa me sytë e vet, gjatë një atentati që iu bë të vëllait nga Alfred Shkurti
Dëshmia
“Jam banor i lagjes “K. Qystyri” në Lushnjë. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Kemi qenë katër vëllezër, unë Lorenci, Afrimi, Arturi dhe Stilianoja. Aktualisht jemi tre, pasi Arturin na e ka vrarë Alfred Shkurti me lidhjet e tij, në tetor të vitit 1998, në qytetin e Lushnjës. Kam edhe dy motra, Majlindën, të martuar me Arben Halitin, e cila banon në qytetin e Lushnjës dhe Xhilberta Memën, e martuar me Përparim Memën, të cilin e kanë vrarë në qytetin e Lushnjës në maj të viti 1998. Ne, të gjithë si vëllezër, kishim një shtëpi njëkatëshe në lagjen “K. Qystyri” dhe po aty banonim të gjithë. Që prej vitit 1997 e deri më sot kam qenë emigrant, fillimisht në Itali, e aktualisht në Greqi, që prej vitit 1998. Që nga viti ‘97 e deri më sot, nuk jemi kthyer asnjëherë në Shqipëri. Shkaku i largimit tim dhe i vëllezërve të mi familjarisht nga Shqipëria dhe moskthimi tonë më aty ishte terrori dhe vrasja që i ka bërë Alfred Shkurti dhe grupi i tij kriminal, familjes dhe vëllait tonë, Artur Dajës. Unë kam dijeni të plotë për këtë ngjarje, por deri më sot nuk kam deklaruar gjë, sepse nuk kam pasur garanci se problemi jonë do të zgjidhej ligjërisht nga shteti dhe njëkohësisht, edhe si pasojë e rrezikshmërisë së theksuar kriminale të këtij grupi që vepronte në qytetin e Lushnjës. Duke parë arrestimet e bëra ndaj këtij grupi kriminal dhe vetë Alfred Shkurtit, kam kërkuar nga Athina të kontaktoj me persona që merren me hetimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Për të zgjidhur këtë problem, kam telefonuar zotin Zigur Bixha, pasi kisha informacion se është një nga pjesëtarët e grupit të hetimit dhe i kam kërkuar që të dëshmoj për çka di për këtë ngjarje. Takimin ia kërkova në Athinë, pasi nuk kam akoma garanci për të ardhur e dëshmuar në Shqipëri.
Unë, para viteve 1986 kam punuar në fabrikën e vjetër të tullave në Lushnjë. Aty unë jam njohur edhe me Alfred Shkurtin, i cili punonte gjithashtu në fabrikë dhe mbi bazën e kësaj njohjeje, ne krijuam një shoqëri në punë. Mbi bazën e njohjes që krijova unë me Alfred Shkurtin, bëra edhe prezantimin e vëllezërve të mi me të, gjatë kohës që punonim në fabrikë. Në vitin 1986, unë shkova ushtar dhe pas kthimit nga ushtria, shkova në punë në Ndërmarrjen Ushqimore në Lushnjë. Këtu punova, derisa kjo ndërmarrje u shkatërrua. Pas kthimit nga ushtria, unë dhe vëllezërit e mi takoheshim me Alfred Shkurtin. Ndërkohë, Alfred Shkurti shkoi ushtar një vit para meje dhe pas ushtrisë, me sa di unë, shkoi me punë në Tiranë, në polici. Pas hapjes së kufijve në vitin `91, unë dhe vëllezërit e mi, Arturi dhe Afrimi, kemi shkuar si emigrantë në Itali dhe Greqi. Që nga ky moment dhe deri në vitin 1997, unë nuk di që vëllezërit e mi, Arturi dhe Afrimi, të jenë takuar me Alfred Shkurtin. Në vitin 1996 unë shkova si emigrant në Greqi dhe në muajin shkurt të 1997, kur filluan trazirat në Shqipëri për firmat piramidale, u ktheva përsëri në Lushnjë. Ndërsa Arturi vazhdonte të qëndronte në Itali. Në qershor, Arturi kthehet në shtëpi, në Lushnjë. Nuk më kujtohet sesa ditë kishte që ishte kthyer nga jashtë shtetit Arturi dhe po bëhej gati për të ikur përsëri. Ka qenë kohë dreke, kur isha duke ndenjur në shtëpi me dy fëmijët e mi. Në këtë kohë, marr vajzën e vogël, që quhej Valeria, atë kohë ishte një vjeçe dhe dal në trotuarin e rrugës që të çonte te qendra e qytetit drejt varrezave të qytetit të Lushnjës. Te lokali i djalit të xhaxhait tim, Alfred Dajës, në verandë jashtë, i cili nga vendi ku isha unë, ishte në një distancë 10 metra, shoh të ulur në një tavolinë vëllain tim Arturin, Genc Kasharin, shok i Arturit dhe një person nga Shkodra, i cili banonte në Karaburun të Lushnjës. Këtij i di vetëm emrin, Petrit. Në krahun tjetër të rrugës, te kioska e Cen Luftës, në distancë larg meje rreth 15-20 metra, pashë që ishte duke ndenjur vëllai jonë i vogël, Stiliani. Shkoj te lokali dhe shoh që ishte mbyllur, sepse ishte kohë dreke, orën s’e kam të fiksuar, ndërsa Alfred Daja kishte shkuar për të pushuar. Ulem në tavolinë së bashku me personat e sipërpërmendur dhe pashë që ata e kishin shtruar tavolinën dhe po hanin drekë. Në verandën e lokalit ishin 4 tavolina. Aty ku ishim ulur ne, ishte në pozicionin sa hyn në verandë. Në momentin që u ula në tavolinë, nga shtëpia e vet, për në rrugë kryesore, ballë për ballë me lokalin (pak majtas), po vinte Gramoz Selmani. Në këto momente, Arturi e shikon dhe i thërret: “Gramoz, hajde të hash bërxolla”. Gramozi erdhi dhe u ul bashkë me ne në tavolinë dhe filloi të hante. Në momentin që Gramozi erdhi te tavolina ku ishim ne, unë mora një bërxollë në dorë, ngrihem nga tavolina dhe shkoj ulem në një tavolinë tjetër, vetëm me gocën dhe po lozja me të. Pozicioni im i uljes në tavolinë ishte që shikonte në drejtim të rrugës që vjen nga qyteti. Unë nga tavolina ku isha ulur u ngrita dhe shkova në tjetrën, sepse i lirova vendin djalit të xhaxhait, Xhevitit. Në kohën që këta ishin duke ngrënë drekë, pashë që pas karriges ku ishte ulur Arturi, i shtrirë në dysheme, ishte një automatik kallashnikov i Turit, të cilin që kur erdhi nga Italia, e mbante me vete, ndërsa asnjë prej personave të tjerë që ishin ulur në tavolinë nuk kishin armë. Koha, dita dhe data e saktë nuk më kujtohet, por duhet të ketë qenë kohë dreke, ditët e para të muajit korrik të vitit 1997. Këtë e them, sepse e lidh me njëvjetorin e vajzës sime. Pikërisht në këtë kohë, akoma pa mbaruar së ngrëni drekën, shoh që në rrugën kryesore që vjen nga varrezat e qytetit, po vinte një makinë, e cila ecte ngadalë. Kjo makinë ishte e tipit “Audi” dhe fillimisht nuk më ngjalli interes. Distanca nga makina te vendi ku isha unë, ishte rreth 10 metra. Pas pak sekondash që unë pashë këtë makinë, nga kjo makinë u fillua të gjuhej me breshëri armësh mbi ne që ishim ulur në lokal. Sapo dëgjova këto të shtëna, mora vajzën në krahë dhe u shtriva përtokë, te cepi i murit të lokalit. Pozicioni im nuk më lejonte mua të shikoja se kush po na gjuante me armë, ndërsa më lejonte të shikoja të gjithë veprimet e personave që ishin ulur në tavolinë me Turin. Kur unë isha shtrirë, breshëria e armëve vazhdonte në drejtimin tonë. Në këtë kohë unë po bërtisja: “O Turi, po na vrasin, po më vrasin gocën”. Në këtë kohë Turi më tha: “Mos bërtit” dhe pashë që ai u ngrit në këmbë dhe me automatikun që kishte në dorë, godet me breshëri në drejtim të autoveturës “Audi”. Në këtë moment u ngrita edhe unë në këmbë, duke mbajtur vajzën në krah dhe pashë Gramoz Selmanin, Xhevit Dajën, Petritin, që u ngritën në këmbë, ndërsa Genci Kashari nuk u ngrit, por mbeti i shtrirë dhe pashë që poshtë kokës së tij, në dysheme, kishte gjak.
Kur Turi po gjuante me breshëri në drejtim të makinës “Audi”, unë, duke mbajtur vajzën në krahë, pashë që makina kishte qëndruar 10 metra larg lokalit, ballë për ballë me një makinë të tipit “Sauber”. Në këtë moment, kur makina “Audi” kishte ndaluar, prej saj dalin dy persona, njëri pas tjetrit, nga dera e parë e pasagjerit, krahu i djathtë i makinës. Këta dy persona dolën nga makina dhe po ecnin me vrap në drejtim të rrugës që të çonte për në qendër. Sa i pashë këta dy persona, unë arrita të njoh Alfred Shkurtin, i cili doli i dyti nga makina (personin tjetër nuk e njoha). E kam fiksuar mirë, pasi Alfredi në një dorë mbante atë personin, ndërsa në dorën tjetër mbante një automatik dhe duke vrapuar, herë pas here kthehej dhe qëllonte drejt nesh. Personi që Fredi mbante për dore nuk e pashë nëse ishte apo jo i armatosur dhe asnjërit prej tyre nuk u kam fiksuar karakteristikat e rrobave që mbanin veshur. Në kohën që dy personat iknin me vrap dhe Alfredi vazhdonte të gjuante drejt nesh, Turi në mes të rrugës i bërtiste: “O Fred kurva, do të q... robtë se më vratë”. Po në këtë kohë, pashë që Turit po i rridhte gjak nga krahu i djathtë. E pyeta në ishte plagosur. Ai m’u përgjigj se kishte marrë një plumb”, - përfundon dëshmia e Lorenc Dajës, vëllai i Tur Dajës.