Pavarësi e problemeve të Kosovës nga Shqipëria dhe anasjelltas
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thyer një tabu historike. Ai iu ka kërkuar udhëheqësve të lartë politikë të Shqipërisë të ndërhyjnë në një krizë të tyre, me qëllim që kjo krizë të mos eklipsojë problemet e shtetit të Kosovës. Sa herë që ndodh diçka serioze në Kosovë dhe ndërkohë ka probleme të demokracisë në Shqipëri, akuza e gatshme është se problemet në Shqipëri bëhen për të tërhequr vëmendjen nga problemet e Kosovës. Kjo legjendë urbane ka nisur gati nga korriku i vitit 1990 e vazhdon deri në ditët e sotme. Shpeshherë koincidencat kanë qenë vërtet të forta, por më të forta se ato kanë qenë legjendat rreth tyre.
Tashmë jemi sërish në një situatë të ngjashme, por, për fat, kjo legjendë nuk po kthehet në argument publik. Letra e zotit Krasniqi duket se është e ndikuar nga kjo paranojë, e cila, fatmirësisht, nuk e gjen shkakun te koincidencat paranojake, por te problemet që ka secili vend për llogari të vet.
Kriza që po përjeton Kosova këtë javë është më e forta dhe më e rrezikshmja që pas hyrjes së NATO-s dhe çlirimit të saj në vitin 1999. Ekzistojnë praktikisht zhvillime të tilla ndërkombëtare që po anulojnë në njëfarë mënyre pavarësinë e Kosovës dhe atë çfarë është arritur. Por Kosova po e përballon këtë problem në mënyrë të pavarur nga Shqipëria, madje nën një indiferencë vrasëse të diplomacisë shqiptare.
Kosova po përjeton krizën e saj të parë serioze me faktorin ndërkombëtar, sidomos me OKB dhe Bashkimin Evropian, për shkak të një propozimi në formën e një plani prej gjashtë pikash, i cili justifikon detyrat që duhet të kryejë misioni EULEX në Kosovë. Sipas këtij plani, drejtësia, kufijtë, doganat, policia, gjykatat dhe trashëgimia kulturore do të jenë kompetencë e EULEX, i cili nuk pranon realisht pavarësinë e Kosovës. Ky plan bie ndesh qartazi me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin Ahtisaari dhe ka nxitur një valë kundërshtimi absolut në Prishtinë. Vetë misioni EULEX është një produkt i misionit Ahtisaari, por devijimi i kompetencave të tij të reja në të vërtetë e bëjnë atë një varrosës të paketës Ahtisaari, nga e cila ka lindur. Kundërshtimi në Kosovë është i prerë dhe i qartë. Por ky kundërshtim drejtohet ndaj atyre që deri më sot kanë qenë garantët e pavarësisë së Kosovës dhe në njëfarë mënyre po prodhon një problem serioz për shtetin e ri.
Paralel me këtë zhvillim në Shqipëri, 10 deputetë kanë hyrë në një grevë urie për të kërkuar garanci për transparencën e procesit zgjedhor. Kjo është kriza më serioze në vend që ka të bëjë me një betejë për një kuadër garantues ligjor për sistemin zgjedhor, për të cilën është rritur presioni kombëtar dhe ndërkombëtar që të zgjidhet përmes bisedimeve.
Është shumë pozitiv fakti që të dy krizat po përpiqen të zgjidhen atje ku kanë lindur dhe nuk po difuzojnë te njëra-tjetra. Ka qenë traditë e shëmtuar pseudopatriotike që sa herë Shqipëria kishte probleme të forta të demokracisë së saj, Tirana akuzohej se po i bënte hije problemeve të Kosovës. Në të vërtetë problemet e demokracisë janë po aq serioze për stabilitetin e një vendi si Shqipëria, sa gjithë problemet ekzistenciale të një shteti të ri si Kosova. Zhvillimi pozitiv është fakti që ende kjo rastësi nuk është keqpërdorur, edhe pse ka kohë boll që kjo gjë të ndodhë në mënyrë banale. Letra e zotit Krasniqi, nëse nuk do të koincidonte me dy kriza paralele, është një qortim i qartë dhe i drejtë për atë që diplomacia shqiptare nuk është e penguar ta bëjë.
Ajo që duhet të ndodhë realisht nga diplomacia shqiptare dhe ministri i saj i Jashtëm është që shteti shqiptar të përdorë fuqinë e tij për t’i ardhur në ndihmë, pranë faktorit ndërkombëtar, shtetit të ri të Kosovës. Ministri ynë i Jashtëm, i cili harxhon paratë e shtetit shqiptar për të bërë politikë personale për hallet e kryeministrit apo akuzat që atij i bëhen për lidhje me mafiozë ballkanikë, apo sulme të paramenduara ndaj drejtësisë për shkak të halleve familjare, është mirë të udhëtojë në botë për të qenë një avokat i garantimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Përpara se të shkojë në Uashington për të denoncuar ambasadorin amerikan në Tiranë për probleme personale, është mirë të shkojë të sqarojë realisht rrezikun që paraqet për stabilitetin në rajon një revansh kundër kornizës së pavarësisë së Kosovës dhe humbjes së integritetit të saj territorial. Përpara se diplomacia shqiptare të përdoret kundër grevës së urisë së deputetëve të ngujuar, është mirë të përdoret për të sinjalizuar rrezikun e një destabiliteti rajonal, nëse Kosova shënon hapa mbrapa në administrimin e integritetit territorial dhe zhvlerësimin de facto të aktit të pavarësisë, i cili po ndodh.
Është pjekuri e madhe e Kosovës dhe Shqipërisë që secila po përpiqet të zgjidhë hallet e saj, pa iu përzier njëra-tjetrës, por, nga ana tjetër, është përgjegjësi e Shqipërisë të jetë një faktor në parandalimin e një krize rajonale që mund të rilindë sërish nga Kosova.
Kosova dhe Shqipëria janë realisht dy shtete të pavarura dhe provë e pavarësisë së tyre është dhe zgjidhja e pavarur e problemeve të secilës. Është mirë që koincidencat kohore të mos shërbejnë si alibi për veprime antidemokratike që do të dëmtonin njësoj stabilitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, si çdo mbulim artificial i problemeve dhe moszgjidhja e tyre.