E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një turmë shqiptarësh në Amerikë, asgjë më shumë

Nga Sami Milloshi

Në një mjedis shqiptaro-amerikanësh përgjithësisht të shkolluar, një diplomat nga Tirana shtroi këtë pyetje: “A keni menduar të përfshiheni ju në jetën politike amerikane?”

Po provoj t'i jap një përgjigje, megjithëse e di se mund të më vërsulen si “antikombëtar”.

Së pari, a kemi ne një komunitet të mjaftueshëm në numër për të pretenduar për përfaqësime politike? Kësaj pjese të pyetjes mund t'i përgjigjesh pozitivisht. Po, ne kemi me qindra-mijëra shqiptarë në Amerikë, sidomos në qytete të mëdha si Nju-Jorku, Çikago, Bostoni apo Detroiti. Nga pikëpamja numerike ka ardhur koha që shqiptaro-amerikanët të kenë përfaqësues në skenën politike amerikane. Së paku, kryebashkiak, qoftë edhe i një qyteti të vogël si ai i Vasilles në Alaska me 5 mijë banorë, ku e nisi karrierën politike një politikane energjike dhe plot të ardhme si Sarah Palin. Të jetë dikush së paku anëtar i një legjislativi në një shtet, senator i një shteti a ndoshta në një nivel më të ulët.

Pse nuk e kemi? Ka shumë arsye.

Unë nuk pretendoj se i perceptoj të gjitha këto arsye, por do të përpiqem të them ndonjë. Në radhë të parë, sipas meje, ne kemi një të metë të madhe: duam të krijojmë, si të them, ishujt shqiptarë në oqeanin e madh amerikan. Psikologjia e ishullit që i kënaqet vetizolimit është kaq e përhapur, sa mund ta prekësh lehtësisht në lloj-lloj pamjesh e detajesh. Ka tjetri me dekada të tëra në Amerikë dhe nuk ka mësuar një fjalë anglisht. Si mund të ingranohet pastaj ky njeri e të bëhet pjesë e skenës politike, qoftë edhe si anëtar i Këshillit të një qyteti? Është mjerim i madh që ka me mijëra shqiptarë, madje dhe me arsim të lartë, që kanë pothuajse më shumë se një dekadë në Amerikë dhe nuk kanë mësuar anglisht. Pse? Nuk u është ofruar mundësia? Jo, është krejt e kundërta. E kanë pasur dhe e kanë me pash këtë mundësi, por janë tkurrur në guaskën e vetizolimit. Janë më rehat në kafenetë me tym të shqiptarëve, ku hyjnë vetëm shqiptarë, ku hyjnë vetëm burra, ku bëhen vetëm thashetheme për politikën në Tiranë, ku aparatet televizive transmetojnë vetëm kanale shqiptare, etj., etj., elementë ishullorë.

A ka individë që e kapërcejnë, të themi, psikologjinë e ishullit? Sigurisht që ka. Ka nga ata që dinë anglisht shkëlqyeshëm, që kanë edhe punë të mira. Por, edhe këta, megjithatë, kënaqen me atë çfarë kanë arritur në jetën private. Dhe kur vjen puna për të garuar në skenën politike amerikane, asnjeri nuk bëhet i gjallë. Ka disa prej tyre që me kohë kanë zgjedhur pozicionin e “rripit të transmisionit”. Njëri prej tyre, kohët e fundit, na dërgoi një letër publike, si Enveri në kohë të vet, dhe na bënte thirrje si komunitet shqiptaro-amerikan të votonim për Obamën, se ashtu e paskësh zgjedhur ai. Një individ tjetër herëpashere dërgon letra poshtë e përpjetë dhe kërcënon sipas oreksit qeveritarët e Tiranës, a thua se ky na qenkësh i përkëdheluri i Uashingtonit që e pyesin për çështjet shqiptare. Ca të tjerë shkruajnë opinione për qeverisjen e Tiranës më shumë se ç'mund të shkruanin duke qenë në Tiranë. Një garë për t'u dukur të “rëndësishëm” në atdheun e parë dhe për të bërë “presion” me fuqinë e emrit të atdheut të dytë.

Mekat i madh!

Unë nuk kam parë ndonjë nga këta “trima” të arrijë të botojë ndonjë artikull në shtypin amerikan. Kush është burrë, le ta tregojë këtu mençurinë që pastaj të themi se dikush ia dëgjon fjalën. Por, këtë nuk mund ta bësh, nëse nuk jeton si amerikan, nuk mendon si amerikan. Sepse nuk mjafton të kesh fituar ligjërisht të drejtën e qytetarit amerikan. Duhet të dalësh nga ishulli i vetizolimit, duhet ta braktisësh tymin e kafeneve shqiptare dhe të hysh në rrjedhën e vrullshme të jetës amerikane që të të jepet mundësia të thithësh ajrin e pastër. E pse jo, edhe të bëhesh pjesë e skenës politike amerikane.

Mirëpo, çfarë ndodh? Ngaqë shqiptaro-amerikanët nuk i kanë përfaqësuesit e tyre në skenën politike amerikane, kënaqen me përkrahjen që gëzojnë nga përfaqësues amerikanë filoshqiptarë. Një i tillë është për shembull kongresmeni i njohur Eliot Engle. Ai është vërtet një mik i madh i shqiptarëve, por mendoj se guvernatori i Ilinoisit, serbo-amerikani Blagojeviç, mund të ketë ndikim më shumë te presidenti i sapozgjedhur Obama sesa, bie fjala, zoti Engle. Po të kishim një senator shqiptaro-amerikan në shtetin e Illinoisit mund të ishte ndryshe puna. Po nuk e kemi dhe ndoshta nuk do ta kemi për shumë vite.

Pyetja e diplomatit shqiptar, i cili duhet përgëzuar për vizionin e tij, tregon se çështja është me interes të ndërsjellë. Një komunitet shqiptaro-amerikan i përfaqësuar edhe në nivele politike amerikane do të ishte dinjitoz jo vetëm për identitetin e tij, por do të bëhej vërtet një urë reale komunikimi midis administratës së Uashingtonit dhe asaj të Tiranës.

Kështu siç është tani për tani, ky komunitet është thjesht një turmë mijërash, asgjë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›