Pedagogët e Politeknikut braktisin auditorët, rendin tek privatët
Studentët e viteve të para dhe të dyta në Universitetin Politeknik, prej një muaji pothuajse nuk hyjnë fare në auditorë për shkak të mungesave pa arsye të pedagogëve të tyre. Një pjesë e madhe e pedagogëve të jashtëm por edhe atyre të brendshëm, të cilët kanë dy ose tre orë mësimi në katedrat e Politeknikut, e që japin mësim në degët e Inxhinierisë Mekanike,
Inxhinierisë së Telekomunikacionit, por edhe të degës Hidro, Tekstile, por gjithashtu edhe të Inxhinierisë së Mjedisit e Inxhinierisë Elektrike që prej një muaji, duket sikur i kanë braktisur katedrat e këtij universiteti. Arsyeja sipas vetë studentëve është se pedagogët e jashtëm meqenëse kanë vetëm disa orë në javë në universitet e neglizhojnë këtë fakt, dhe në shumicën e rasteve në oraret e vendosura në universitetin publik këta pedagogë i gjen duke bërë mësim në universitetet e ndryshme private. Por këta pedagogë nuk janë të vetmit që e harrojnë detyrën e tyre për dhënien e leksioneve dhe të shpjegimit të seminareve të katedrat e Politeknikut. Edhe pjesa tjetër e stafit të pedagogëve të brendshëm që prej një muaji e ka kryer mësimin në katedra të cunguar. Sipas studentëve mungesa e pedagogëve është një shqetësim tejet i madh për ta pasi përveç mbartjes së orëve të seminareve edhe leksionet jepen dorazi e pritjet e gjata në ambientet e Universitetit politeknik janë të pajustifikueshme. Kemi rreth një muaj që bëjmë mësim të cunguar, pedagogët nuk vijnë fare edhe kur i njoftojmë në telefon pasi nuk mund të presim për orë të tëra, na thonë që kanë diçka urgjente dhe seminarin do ta shtyjmë për një ditë tjetër tha dje për gazetën SOT Arjoli një prej studentëve në vitin e parë të Universitetit Politeknik. Sipas tij shumica e pedagogëve lënë mësimin në universitetet shtetërore dhe rendin në ato private. Kjo është edhe arsyeja e vërtetë sipas këtij studenti i cili studion në vitin e parë në degën e Inxhinierisë Elektrike. Ndërsa një tjetër studente në degën e Inxhinierisë së Mjedisit e cila studion në vitin e dytë në Universitetin Politeknik të Tiranës tha për gazetën se gjithsej për gjithë vitin pedagogun e lëndës së Analizës i gjithë grupi i saj e ka takuar vetëm katër herë. Sipas kësaj studenteje ky është vërtet një problem i madh pasi mangësitë në këtë lëndë duke parë edhe vështirësinë e saj janë të mëdha duke mos kryer orët e seminareve të cilat shërbejnë për shpjegimin e paqartësive për tekstet përkatëse të kësaj lënde.
Fenomeni
Braktisja e leksioneve dhe seminareve në Universitet publike si fenomen është kthyer kohët e fundit në modë, jo vetëm për pedagogët të cilët nga ana e tyre e shohin më me interes punën në Universitet private, por edhe vetë studentët në përgjithësi duket se janë të infektuar nga ky fenomen. Si në ambientet e jashtme por edhe në korridoret e gjata të Universiteteve syri të zë shpesh dhjetëra studentë të cilët të vetëdijshëm apo jo i lënë orët e leksioneve dhe të seminareve pa asnjë shkak. Të vetmet arsye mund të jenë ndonjë kafe me miqtë ose thjesht monotonia e krijuar në 60 minutat e leksioneve apo të seminareve. Më së fundi shkak është bërë edhe ndryshimi i stinës, apo ngrohja e temperaturave gjë e cila ka shkaktuar edhe lënien bosh të studentëve nga auditorët. Por lidhur me këtë problem nga ana e Ministrisë së Arsimit, nuk është ndërmarrë asnjë masë edhe pse kjo e fundit është sinjalizuar disa herë si nga studentët por edhe nga pedagogët. Por nga ana tjetër edhe rektorati i Universitetit të Tiranës duket se është indiferent ndaj fenomenit të lënies së orëve të seminareve apo të leksioneve. Ndërsa përsa i përket dypunësimit të pedagogëve kjo gjë duket sikur është harruar nga dy organet arsimore, dhe për më tepër nga Ministria e Arsimit e cila jo më shumë se disa muaj më parë dënoi me tone të ashpra dypunësimit e mësuesve si një fenomen që ndikon negativisht në mbarëvajtjes e procesit arsimor.
Arta AGOLLI